Pavarësisht premtimeve të drejtorit, rruga Tetovë-Jazhincë ende pa sinjalistikë adekuate

Pavarësisht deklaratave dhe premtimeve të drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemit për vendosjen e sinjalistikës rrugore në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, në terren kjo nuk është realizuar ende. Rustemi tani thotë se për disa ditë do të fillojë realizimi, shkruan Portalb.mk.

Rruga rajonale prej 27 kilometrave nga Tetova në Jazhincë që lidhet edhe me Kosovën, ndonëse shumë e frekuentuar, aty mungon sinjalistika adekuate e komunikacionit.

Për këtë problematikë, Rustemi në qershor 2023 tha se së shpejti do të realizohej sinjalistika horizontale dhe vertikale, por pa rezultat konkret.

Më problematike paraqitet pjesa në fshatin Xhepçisht, nga ku edhe vjen vetë drejtori i Rrugëve Shtetërore, ku ka policë të shtrirë të cilët nuk janë të sinjalizuara siç duhet.

Rustemi me 13 shkurt theksoi se për disa ditë do të fillojë realizimi i sinjalistikës rrugore.

“Tash jemi në përgatitje për fillimin e realizimit të sinjalizimit të rrugës Tetovë -Jazhincë, i cili për disa ditë do të fillojë të realizohet”, tha Rustemi.

Rruga rajonale Tetovë - Jazhincë (Xhepçisht). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga rajonale Tetovë – Jazhincë (Xhepçisht). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kohë më parë për Portalb.mk edhe eksperti i komunikacionit Blerim Neimi pati deklaruar se në këtë rrugë nuk janë të definuara me rregulla dhe norma të standardizuara shenjat të cilat kufizojnë shpejtësinë (pra të ketë fillim të shpejtësisë dhe mbarim të sajë ) ku disa prej tyre janë edhe të dëmtuara edhe nga vetë qytetarët.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë nuk kanë të dhëna të grumbulluara në veçanti për numrin e aksidenteve në këtë aks rrugor.

Në këtë rrugë shpesh ndodhin edhe aksidente, të cilat në disa raste kanë rezultuar edhe me humbje jete.

Në të kaluarën për shkak të aksidenteve dhe vdekjeve në këtë rrugë, nga ana e banorëve të vendbanimeve përgjatë kësaj rruge ka pasur edhe protesta në shenjë revolte që autoritetet të marrin masa.