Gjuhëtarët s’mund të licencohen për lektorë të shqipes në RMV, për gabimet drejtshkrimore askush nuk gjobitet

Ndonëse gjuha shqipe, ka statusin e gjuhës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i saj i drejtë dhe pa gabime gjuhësore paraqet sfidë të madhe në vend sidomos për institucionet publike. Në shtet, institucionet nuk janë të detyruara të punësojnë lektorë, ndërkaq për t’u bërë lektorë i licencuar i gjuhës shqipe nuk ka asnjë institucion të autorizuar. Për këtë, komunikimi zyrtar bëhet në bazë të vullnetit dhe ndërgjegjës së drejtuesve të institucioneve. Për dallim, përdorimi i gjuhës maqedonase në komunikim zyrtar është i rregulluar me ligj, ekziston Regjistër i Lektorëve, ndërkaq me ndryshimet e fundit, institucionet janë të deteyruara të punësojnë lektorë, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se kanë kaluar mbi 5 vjet nga miratimi i Ligjit të Gjuhëve në Kuvend, gjuha shqipe nuk gëzon përdorim zyrtar në të gjitha institucionet publike. Por, edhe në rastet kur përdoret nëpër shkresat apo dokumentet zyrtare të institucioneve, madje dhe universiteteve dhe shkollave, mund të vërehen gabime drejtshkrimore e teknike, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi, pasi nuk ka ndonjë ligj që parashikon diçka të tillë.

Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, në nenin nenin 18, paragrafi 3, thuhet se në Agjenci, krahas përkthyesve të autorizuar gjyqësorë punësohen edhe linguistë dhe filologë të diplomuar të gjuhës shqipe, si dhe lektorë të licencuar.

Por, pavarësisht se në ligj përmenden lektorët e licencuar, të tillë në RMV nuk ka, pasi që nuk ka asnjë institucion të autorizuar shtetëror që të licencojë lektorë të gjuhës shqipe. Për këtë, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, nuk ka të dhëna për atë se sa të punësuar si lektor ka në institucionet e vendit.

“Duke pasur parasysh që nuk ka studime të larta redaktimi përveç masterit, çdonjëri që ka studiuar gjuhën shqipe dhe e njeh mirë aspektin e sintaksës së shqipes mund të jetë edhe lektor. Jo çdo institucion ka të punësuar redaktorë ose lektorë, varësisht nga sistematizimi i vendeve të punës. Prandaj dhe nuk kemi një numër të saktë të të punësuarve si lektor. Në Maqedoninë e Veriut, për shkak të specifikave të dygjuhësisë, në dy nga universitetet tona, së fundmi është hapur dega e redakturës gjuhësore”, thonë për Portalb.mk nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin 20% e Qytetarëve të RMV-së.

Për dallim prej shqipes, në RMV, ka ligj të veçantë për përdorimin e gjuhës maqedonase. Në bazë të këtij ligji, në procedurë të veçantë, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, jepen licenca për lektorë të gjuhës maqedonase dhe ka regjistër publik të lektorëve.

Fatmir Sulejmani, foto nga arkivi personal
Fatmir Sulejmani, foto nga arkivi personal

Me qëllim që të mbrohet përdorimi i gjuhës standarde maqedonase, Kuvendi i RMV-së, në fund të janarit të këtij viti miratoi ndryshime të ligjit ekzistues. Sipas të njëjtave, në të gjitha institucionet, shkollat dhe mediat duhet të ketë të punësuar lektorë për gjuhën maqedonase. Në të kundërtën, institucionet dhe përgjegjësit e institucioneve do të gjobiten. Profesori universitar Fatmir Sulejmani, për Portalb.mk thekson se është e padrejtë që shteti të mos tregojë kujdes për shqipen, ashtu siç tregon kujdes për maqedonishten.

“Në një shtet demokratik, multigjuhësor dhe multikulturor, siç dëshiron të jetë RMV, është i padrejtë kujdesi institucional, që lidhet vetëm me gjuhën e njërit prej dy etniteteve më të mëdha të vendit. Kjo, sepse Gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare jo vetëm në letra, por edhe në zbatimin praktik dhe respektimin e normave të saj. Shih për këtë, ndryshimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe punësimi i lektorëve profesionistë nëpër institucionet shtetërore duhet të vlejë edhe për shqiptarët, të paktën në komunat ku përbëjnë shumicën ose ku jetojnë në numër të konsiderueshëm”, thotë profesori Sulejmani

Profesori shton se do të ishte mirë që propozuesi i ndryshimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Maqedonase, Pendarovski, që u zgjodh kryetar i RMV edhe me votat e shqiptarëve, të përfshinte aty edhe Gjuhën shqipe dhe të kërkonte ndryshimin e emërtimit fyes të saj si gjuhë 20%.

“Ligji në fjalë parashikon madje edhe dënime prej 1500 euro-sh ndaj personave juridikë që do të lejojnë publikime tekstesh të palekturuara. Por, mjerisht, ndoshta për shkaqe politike, këtë nuk e tha edhe për Gjuhën e dytë zyrtare të vendit që drejton. Ndoshta është në të drejtën e tij, sepse në qeverinë e RMV ka kuadro shqiptarë që duhet t’ia kërkonin zëshëm dhe me ngulm këtë gjë”, shton Sulejmani.

Sipas tij, përkundër përpjekjeve të bëra nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve në RMV dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, respektimi i standardit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar dhe publik nga ana e institucioneve shtetërore lë shumë për të dëshiruar, sado që ajo është shpallur gjuha e dytë zyrtare në shtet dhe si të tillë e njeh dhe Ëikipedia. Kjo situatë, sipas tij, duhet të ndryshojë sa më parë, sepse cenimi i standardit të shqipes, është cenim i të drejtave tona gjuhësore.

Licencat për lektorë të shqipes, jashtë interesit të qeveritarëve

Pas hyrjes në fuqi ligjit i cili parashihte avancimin e gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj, në vitin 2019-të u formua Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e cila funksionon si organ në kuadër të Qeverisë. Ky institucion, në bazë të ligjit është kompetent për standardizimin dhe përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe.

Kompetencat ligjore, janë që Agjencia t’u japë mbështetje institucioneve për përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve, lekturimin e të gjitha akteve që botohen në Gazetën Zyrtare të RMV-së, por edhe marrjen e masave për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Gjithashtu, Agjencia duhet të hartojë raporte për informimin e Qeverisë për zbatimin e kompetencave të saj, përgatitjen e materialeve analitike-profesionale për nevojat e Qeverisë, të japë mendime profesionale për materialet që janë në funksion të zbatimit dhe avancimit të përdorimit të gjuhës.

Ajtene Qamili. Foto: Klan Maqedoni
Ajtene Qamili. Foto: Klan Maqedoni

Profesoresha universitare, Ajtene Hajdari-Qamili e cila ka qenë këshilltare e jashtme në fillim të themelimit të Agjencisë, për Portalb.mk, shpjegon përpjekjet që fillimisht Agjencia të jetë institucioni kryesor për të dhënë licenca për lektorë, megjithatë e njëjta nuk ka qenë e suksesshme.

“E formuam një ekip dhe thamë që të jetë mbarëkombëtare, përfshimë profesor edhe prej Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. U bë një ekip prej 16 profesorëve që të munden të gjithë të jenë pjesë e ekipit vlerësues. Zgjodhëm nga tre shtetet që të mos mund të jetë i ndikuar nga askush.  Shkuam të bisedojmë se kush do të jetë që të futet në ligj, duhej të jetë bartës Ministria e Kulturës sepse ashtu ishte bërë për gjuhën maqedonase. Shkuam të bisedojmë, na priti Asaf Ademi, pas asaj u vazhduan bisedimet, te ministri tjetër më pas ministresha erdhi maqedonase dhe ajo nuk e mori fort seriozisht. Biseduam që ta marrë si bartëse Katedra e Gjuhës Shqipe, por edhe për aty s’u be, për shkak se kishte mendime se s’kemi të drejtë ligjore. Por, kjo nuk u bë, mbeti vetëm si iniciativë”, thotë Hajdari-Qamili.

Ajo shton se në fund “thanë se nuk ka nevojë, pasi s’ka as Shqipëria dhe as Kosova”.

“Dhe mjafton se nëse një student diplomon në Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare, ai llogaritet të jetë njohës i mirë i gjuhës dhe pastaj thanë, vetë institucionet le të shohin se cili prej studentëve ka nota të larta në lëndët e gjuhës, sidomos në lëndën e drejtshkrimit edhe ata t’i zgjedhin si lektorë. Kjo mbeti në fund dhe askush nuk e vazhdoi punën për më tutje”, shton Hajdari-Qamili.

Sipas profesoreshës Hajdari-Qamili, nëse nuk ka mbështetje prej Qeverisë “nuk bëhet kjo punë”.

“Te ky ligji i maqedonishtes që është, nëse aty të shtohet ndonjë nen për gjuhën shqipe, kjo mund të jetë zgjidhje më e mirë, ose te ligji për gjuhët, sepse ky vlen për shqipen, aty të shtohen nene dhe saktësohen.  Për ta bë këtë ndryshim në ligj, paraprakisht duhet që të garantohet trupi që jep licenca. Ne, as trupin s’e kemi e as ligjin s’mund ta ndryshojmë. Në fillim premtuan Qeveria, por pastaj e lanë. Mbase kanë punë tjera më madhore”, shton profesoresha.

Sipas profesoreshës Hajdari-Qamili, pasi nuk u bë kjo, UT-ja e hapi degën e magjistraturës për redaktor. D.m.th, studenti mbaron Gjuhë dhe Letërsi, pastaj shkon magjistrin dhe pastaj me vetë magjistraturën, studenti faktikisht llogaritet lektor. “Por, aktualisht kjo nuk është e barabartë me certifikatën që e lektorëve të maqedonishtes.

Profesori Sulejmani thekson se në vitin akademik 2023-2024, filloi me punë programi studimor i ciklit të dytë të studimeve – Redaktura gjuhësore, që do të zgjasë dy semestra. Programi, sipas Sulejmanit u hap në marrëveshje me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve në RMV, me qëllim që të përgatisë lektorë, redaktorë dhe përkthyes profesionistë, diplomat e të cilëve para ligjit  duhet të jenë të barasvlershme me licencat aktuale  të lektorëve të gjuhës maqedonase.

Portalb.mk para 8 vitesh e ka ngritur çështjen për nevojën e lektorëve të licencuar. Asokohe, përpjekjet për formimin e një komisioni për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe dështuan për shkak se gjuha shqipe nuk specifikohej me Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe nuk mbrohej me ligj. Ligji për Gjuhët u miratua në vitin 2018-të, por megjithatë çështja e lektorëve të licencuar nuk u zgjodh. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe me këtë ligj është avancuar, por në mungesë të kuadrit të licencuar, institucionet bëjnë gabime drejtshkrimore dhe gjuhësore, për të cilat askush nuk mban llogari.