Rruga ‘Kiro Fetak’ plot gropa dhe asfalt të shkatërruar, Komuna e Kumanovës u zotua për zgjidhje
Banorët e rrugës “Kiro Fetak” në Kumanovë ankohen për gjendjen e keqe të rrugës, e cila është e mbushur me gropa dhe asfalt të dëmtuar. Sipas tyre, ka mbi një dekadë që nuk është bërë asnjë investim në këtë rrugë. Nga Komuna e Kumanovës bëjnë të ditur se rikonstruktimi është planifikuar për vitin 2026 dhe punimet do të nisin së shpejti, shkruan Portalb.mk.
Rruga “Kiro Fetak” në Kumanovë edhe pse është një ndër rrugët më të frekuentuara, pasi lidhet me disa rrugë të tjera kryesore të qytetit, ajo mbetet e dëmtuar dhe plot gropa.
Banorët kësaj lagje ankohen se asfalti i dëmtuar dhe gropat e mëdha e vështirësojnë qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut.
Sipas tyre, prej më shumë se një dekade nuk është bërë asnjë investim në këtë rrugë.
Ata kërkojnë nga Komuna e Kumanovës që të ndërmarrin masa urgjente për rikonstruktimin e rrugës.

Një banore thotë se rruga është në gjendje të keqe, e dëmtuar dhe e mbushur me gropa.
“Siç e shihni edhe vetë, rruga është në gjendje katastrofale, asfalti është i dëmtuar dhe plot me gropa, dhe kanë kaluar mbi dhjetë vjet pa asnjë pikë investimi këtu. Kërkoj nga komuna të marrin masa, dhe të shtrojë asfalt të ri, pasi rruga frekuentohet shumë dhe lidhet edhe me shkollën dhe tregun”, tha banorja.
Një banor tjetër tha se çdo kalim në këtë rrugë është i vështirë, veçanërisht kur bie shi, pasi gropat pengojnë shoferët dhe uji përhapet tek këmbësorët.
“Unë jetoj këtu dhe gjithmonë has pengesa, sidomos kur bie shi. Gropat e bëjnë kalimin të vështirë për këmbësorët dhe shoferët, dhe shpesh dëmtohen edhe automjetet. Megjithatë, askujt nuk i interesojnë këto probleme të qytetarëve. Kjo lagje është e neglizhuar, prandaj kërkoj nga institucionet përkatëse që të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të rregullojnë rrugën,” tha ai.

Nga Komuna e Kumanovës theksuan se rruga “Kiro Fetak” do të rikonstruktohet, dhe punimet do të fillojnë së shpejti, duke mos treguar se kur konkretisht.
“Në përputhje me programin për rregullimin e tokës ndërtimore për vitin 2026 të Komunës së Kumanovës, rruga “Kiro Fetak” do të rikonstruktohet. Është paraparë që punimet ndërtimore të fillojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Informacioni përcillet nga Sektori për Punë Komunale, Infrastrukturë dhe Komunikacion, si dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor dhe Natyrës”, thanë nga Komuna e Kumanovës.

Ndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi ka raportuar për rrugët e dëmtuara në Kumanovë si ‘Done Bozhinov’,‘Veselin Vujovski’, ‘Zona Industriale’, ‘Karl Marks‘ etj.
- LEXO: Kumanova në baltë: Banorët e “Done Bozhinov” të bllokuar, komuna i lë jashtë programit vjetor
- LEXO: Rruga në Kumanovë si në mesjetë, banorët: Komuna me vite na ka lënë në baltë (VIDEO)
- LEXO: Rruga Industriale në Kumanovë çdo ditë shkatërrohet, kontrata për rikonstruim është nënshkruar por punimet nuk po fillojnë