Trump tha se ka miratuar tarifë globale prej 10% me urdhër ekzekutiv

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se ka nënshkruar një tarifë globale prej 10 përqind për të gjitha importet nga çdo vend. Ai tha se vendimi do të hyjë në fuqi pothuajse menjëherë, duke përdorur bazën ligjore të Seksionit 122 të Aktit të Tregtisë së vitit 1974 që i lejon presidentit të vendosë masa të përkohshme pa miratimin e Kongresit, transmeton Portalb.mk.

“Është nderi im i madh që sapo kam nënshkruar, nga Zyra Ovale, një tarifë globale 10 përqind për të gjitha vendet, e cila do të hyjë në fuqi pothuajse menjëherë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ky veprim vjen pas një vendimi të Gjykatës Supreme të SHBA e cila me 6 vota pro dhe 3 kundër rrëzoi shumicën e tarifave të mëparshme të Trumpit, duke konstatuar se ai kishte tejkaluar autoritetin e tij kur vendosi tarifa të gjera duke u mbështetur në ligjin për emergjenca kombëtare.

Vendimi i Gjykatës u prit me kënaqësi nga demokratët dhe grupet e biznesit si një fitore për ekuilibrin e pushteteve dhe mbrojtjen e ekonomisë amerikane. Megjithatë, tarifa e re 10 përqind që fillon më 24 shkurt pritet të ndikojë në çmimet e produkteve të importuara dhe të rrisë tensionet në tregtinë globale.