Rruga e Spitalit të Tetovës ende nuk ka dalje në bulevardin “Bllagoja Toska”, nevojitet zgjidhje komunikacioni

Rruga e cila ndodhet prapa Spitalit të Tetovës nga ana e lumit “Shkumbin”, konkretisht nga Ura e Vjetër e Gurit dhe teposhtë, nuk ka dalje në bulevardin “Bllagoja Toska”. Megjithatë, nga Spitali i Tetovës të cilët janë kompetentë për këtë rrugë, për Portalb.mk theksojnë se lidhja është në plan të bëhet, por pa specifikuar ndonjë afat konkret.

Në pjesën prapa spitalit janë kryer punime për parking, ndërkaq Portalb.mk bisedoi me autoritetet nëse kanë në plan që të bëjnë edhe lidhjen e rrugës me bulevardin “Bllagoja Toska”, që spitali të ketë hyrje dhe dalje edhe nga kjo rrugë.

Drejtori i Spitalit të Tetovës, Ilir Demiri konfirmoi se kanë në plan diçka të tillë.

“Po kemi në plan, kemi biseduar me institucionet për mundësitë për tu lidhur me bulevardin. Në një të ardhme të shpejtë besoj se do gjendet zgjidhje komunikacioni”, tha Demiri.

Nga Komuna e Tetovës thonë se kjo pjesë nuk është në kompetenca të tyre, por të spitalit dhe nëse kërkohet nga ata që të gjendet zgjidhje për këtë pjesë që të lidhet me bulevardin Bllagoja Toska, atëherë si komunë do të përpilojnë plan të ri për këtë pjesë të qytetit.

“Theksojmë se Këshilli i komunës së Tetovës, nga përbërja e kaluar ka pezulluar planin për një pjesë të njësisë banesore në këtë lokacion që ka qenë në fuqi në vitin 1999 dhe nuk përputhej me planin detal urbanistik. Komuna ka urdhëruar firmën projektuese që të hartojë një plan të ri për atë pjesë të qytetit sidomos kjo rrugë të ketë qasje në bulevard”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Megjithatë, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë theksuan se deri më tani te ata nuk është paraqitur ndonjë kërkesë e tillë për hapje të kësaj rruge.

Kujtojmë që me 11 janar 2024, drejtori i Spitalit të Tetovës, Ilir Demiri bëri të ditur se në fund të spitalit të Tetovës janë privatizuar 97 metra katrorë tokë, ndërsa se kishte tendenca nga mafia urbane që të privatizojnë tokën deri te lumi që t’i pengohet spitali dalja në bulevardin “Bllagoja Toska”. Por, Komuna e Tetovës nuk lejoi diçka të tillë, pasi Këshilli Komunal pezulloi planin urbanistik për këtë pjesë.