Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkoi nga Parlamenti që të zgjedhë person e të pavarur për Avokat të Popullit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 10 korrik 2025, miratoi Vendim për Shpalljen e Konkursit për Zgjedhjen e Avokatit të Popullit, të botuar në Gazetën Zyrtare nr. 143 të datës 16 korrik 2025. Afati i fundit për aplikimin e kandidatëve është 10 ditë nga data e publikimit të vendimit në Gazetën Zyrtare, pra deri më 26 korrik 2025. Pas afatit të aplikimit, Parlamenti duhet të publikojë listën e kandidatëve të regjistruar së bashku me dokumentet që ata i kanë dorëzuar Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe të zhvillojë procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, transmeton Portalb.mk.   

Në pritje të zgjedhjeve, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi i kërkon Parlamentit të zgjedhë një person ekspert dhe të pavarur në këtë pozicion të rëndësishëm, me qëllim që të mundësohen reforma në punën e këtij institucioni, i cili me vite nuk ka arritur të sigurojë mbrojtje efikase dhe efektive të të drejtave të qytetarëve. 

“Të kesh një institucion të fortë, të pavarur dhe të paanshëm të Avokatit të Popullit është e rëndësishme për zbatimin pa probleme të sundimit të ligjit dhe për respektimin e të drejtave të njeriut si një parakusht themelor për përparimin në proceset e integrimit evropian. Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore rekomandon sigurimin e transparencës më të madhe në proceset e përzgjedhjes dhe hapjen e tyre ndaj numrit më të madh të kandidatëve, si dhe përfshirjen e Parlamentit, por edhe të aktorëve të pavarur në proces. Përveç kësaj, Komisioni Evropian na kujton vazhdimisht se është e nevojshme të emërohen anëtarë të organeve të pavarura bazuar në meritë, gjë që do të sigurojë kompetencën dhe integritetin e tyre. Kjo padyshim vlen edhe për Avokatin e Popullit të ardhshëm. Përndryshe, mungesa e vullnetit për të promovuar dhe respektuar të drejtat e qytetarëve dhe mungesa e shqetësimit për mirëqenien dhe përparimin e vendit demonstrohen qartë. Avokati i Popullit është institucioni i fundit në të cilin duhet të emërohen personel partiak joprofesional, sepse në këtë mënyrë shkelen dispozitat e Kushtetutës që garantojnë pavarësinë e institucionit”, thonë nga Rrjeti. 

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kujton se sipas Vendimit, Avokat i Popullit mund të zgjidhet një person që plotëson kushtet e përgjithshme të përcaktuara me ligjin për themelimin e një marrëdhënie pune, është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka diplomë juridike dhe ka mbi nëntë vjet përvojë pune në çështjet ligjore, dhe aktiviteti i të cilit është i provuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe gëzon reputacion për kryerjen e funksionit të Avokatit të Popullit.  

Nga Rrjeti u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve dhe partive politike parlamentare që të përmbahen nga negociatat partiake dhe të zhvillojnë një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe të drejtë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të ardhshëm. 

“Edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjitha partive politike parlamentare që ta kuptojnë dhe ta mbështesin angazhimin për një kandidat jopartiak, të mos e shohin këtë institucion si një mundësi tjetër për punësim partiak, duke demonstruar kështu shqetësim real dhe jo vetëm deklarativ për të drejtat dhe liritë e njeriut të qytetarëve”, thuhet në letrën e Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi. 

Avokati i deritanishëm i Popullit, Naser Ziberi, u pensionua më 12 korrik. Institucioni vazhdon të funksionojë vetëm me dy zëvendës Avokatët e Popullit: Ilber Rufati dhe Sonja Trifunovska.

Institucioni vazhdon të funksionojë vetëm me dy zëvendës Avokatët e Popullit: Ilber Rufati dhe Sonja Trifunovska.

Mungojnë shtatë zëvendës dhe një tjetër së shpejti do të pensionohet.

Prej kohësh Kuvendi nuk zgjedh as zëvendës, e as nuk ia garanton pavarësinë institucionit, siç është e garantuar me Kushtetutë.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 25 maj të vitit 2021 me 61 vota “për” e zgjodhi Naser Ziberin për Avokat të popullit. “Për” votuan edhe 26 deputetë nga komuniteti jo-shumicë.

Ziberi i cili është noter, ka qenë kandidat për kryeministër i BDI-së në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ai u rikthye në skenën politike, pasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e publikoi si kandidat për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut.