Kuvendi i RMV-së i la qytetarët pa Avokat të Popullit

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, të shtunën (12 korrik) ka plotësuar kushtet për pensionim, ndërsa në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë së Veriut ende nuk është shpallur konkursi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të ri, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse deputetët më 10 korrik  votuan vendimin për shpalljen e konkursit, vendimi nuk është nënshkruar sepse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ishte në udhëtim zyrtar.

Andaj, nga dje qytetarët kanë mbetur pa Avokat të Popullit.

Institucioni vazhdon të funksionojë vetëm me dy zëvendës Avokatët e Popullit: Ilber Rufati dhe Sonja Trifunovska.

Mungojnë shtatë zëvendës dhe një tjetër së shpejti do të pensionohet.

Prej kohësh Kuvendi nuk zgjedh as zëvendës, e as nuk ia garanton pavarësinë institucionit, siç është e garantuar me Kushtetutë.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 25 maj të vitit 2021 me 61 vota “për” e zgjodhi Naser Ziberin për Avokat të popullit. “Për” votuan edhe 26 deputetë nga komuniteti jo-shumicë.

Ziberi i cili është noter, ka qenë kandidat për kryeministër i BDI-së në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ai u rikthye në skenën politike, pasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e publikoi si kandidat për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut.