Rritje e rrogës mesatare për 12.9 përqind në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit gusht u regjistrua rritje e rrogës mesatare për 12.9 përqind në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, ashtu që rroga mesatare mujore neto në gusht të këtij viti ishte 41 097 denarë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Arsimi (18.9%), Arte, argëtim dhe rekreacion (18.8%) dhe Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm (17.0%)”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Krahasuar me korrikun e këtij viti, rritje më të madhe të rrogës kemi te sektori për arte, argëtim dhe rekreacion (5.3 %), ndërsa te sektori për bujqësi, pylltari dhe peshkim kemi rritje për 4.2 përqind, kurse te sektori për akomodim dhe shërbim ushqimor kemi rritje për 3.2 përqind.

Ndërkohë, rroga mesatare mujore bruto ishte 61 806 denarë gjatë muajit gusht në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) më 12 tetor ka arritur marrëveshje që të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm të kenë rritje të rrogës për 5 përqind te rroga e muajit tetor.