Rritje e rrogës mesatare në Maqedoninë e Veriut për 16.2 përqind

Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e rrogës mesatare për 16.2 përqind gjatë muajit nëntor, krahasuar me nëntorin e vitit paraprak. Në muajin nëntor u regjistrua rroga mesatare në vlerë prej 38 359 denarë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm (23.8%), Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (22.0%), Furnizimi me ujë; dhe kanalizimi, veprimtaritë e menaxhimit dhe të trajtimit të mbeturinave (19.4%)”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Në këtë muaj, rroga mesatare më e madhe është regjistruar te Veprimtaritë e sigurisë dhe të hetimit (19 957), ndërsa më e madhe te Programimi kompjuterik (93 223).

Ndryshe, në Buxhetin e vitit 2024, janë parashikuar 10% më shumë mjete për pagat e punonjësve aktualë në sektorin publik, krahasuar me vitin e kaluar, por jo edhe për funksionarët. Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se nuk ka buxhet të paraparë për rritje shtesë të pagave të 1,260 funksionarëve, të cilët në maj të 2023 patën rritje prej 78%.

Ministri për Financa në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje e mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik.

Më 14 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave. Ky propozim-buxhet ishte miratuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.