Familjet e Thaçit, Krasniqit e Veselit refuzojnë takimin me Haxhiun: Takohemi pas vendimit të Kuvendit

Familjet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Kadri Veselit kanë refuzuar takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, raporton Koha.net.

Djali i Krasniqit, Altin Krasniqi, në emër të familjeve të tjera ka njoftuar se në takim do të shkojnë vetëm pas vendimit të Kuvendit ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një letre publike, familjet kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar, derisa kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e popullit.

“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara. E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e familjeve të publikuar nga Krasniqi.

Specialja i shpalli fajtorë për krime lufte dhe i dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.

Që nga data 16 shtator, kur Gjykata Speciale dha vendim dënues ndaj ish-krerëve të UCK-së, në Kosovë nuk janë ndalur protestat, të cilat qëllim kanë kundërshtimin e këtij vendimi. Përveç në Kosovë, protesta janë mbajtur ditëve të kaluara edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani e Austri.