Rritja e nacionalizmit teknologjik

Përgjatë shekullit të XX, kalimi nga gjeopolitika klasike në gjeopolitikën kritike vlerësohej se ishte ontologjike dhe epistemologjike. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjeopolitika kritike filloi të zhvillohej më shumë aty kah fundi i shekullit të XX dhe me ndryshimet e mëdha që ndodhën në bllokun lindor.

Në kuptimin ontologjik, “materializmi i gjeopolitikës klasike u përmbys nga konstruktivizmi social i gjeopolitikës kritike”. Ndërsa nga këndvështrimi epistemologjik, “pozitivizmi i gjeopolitikës klasike ka lidhje me vrojtimin gjeografik dhe reflektimin filozofik”.

Tani pas trajtimit bazik teorik të paparashikueshmërisë, gjeopolitikës kritike dhe gjeopolitikës klasike t’i kthehemi realitetit se çfarë konsiderohen si rreziqe gjatë 2024-ës dhe pas në kontekst të rritjes së nacionalizmit teknologjik. Ashtu si shumë çështje janë të ndërlikuara, në SHBA zgjedhjet presidenciale, ato në BE, dhe probleme tjera të pazgjidhura si normalizmi i marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, fati i Ukrainës, lufta në mes Hamasit dhe Izraelit, Kina etj etj, mbesin raste që nuk mund t’i parashikojmë saktë se si do të përfundojnë qoftë gjatë këtij viti dhe në të ardhmen.

Të gjitha pasiguritë gjeopolitike të lidhura me ngjarjet qoftë të së kaluarës, dhe ato që kanë burimin e këtij shekulli, trashëgojnë një pasiguri të nacionalizmit gjeopolitik ose do të jenë të ndikuara nga nacionalizmi teknologjik.

Lë të fillojmë më SHBA-të si qendër aktuale e politikës ndërkombëtare, ku çdo ndryshim radikal në presidencën amerikane është e kuptueshme të ketë pasoja në shtetet e varuara po nga SHBA-ja dhe politika e saj e jashtme. Historikisht gara presidenciale amerikane bëhet e ashpër në pranverë dhe vazhdon deri në tetor në mes kandidatëve të të dyja partive politike.

Njëkohësisht zgjedhjet presidenciale paraqesin një vështirësi brenda dhe jashtë vendit. Sigurisht se retorika e brendshme në SHBA pritet mirë nga kundërshtarët e SHBA-së pra nga Rusia, Irani, Kina, Korea e Veriut dhe natyrisht nga aktorët tjerë të interesuar për shpërqendrimin e vëmendjes së fuqive demokratike nga rajonet e krizës dhe të luftës. Në këtë kontekst është më rëndësi të përmendet edhe roli i shteteve të Ballkanit në nxehjen e situatave. Në këtë pasiguri rol të rëndësishëm luan Ukraina dhe fati i saj i ndërlidhur me zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe disponimin e BE-së për të bërë më shumë.

Konfliktet rajonale si çdoherë nxisin fragmentimin gjeopolitik. Për raste të tilla gjeopolitika kritike është më se duhur të aplikohet si teori në parashikimet e zhvillimeve të ardhshme. Në një kërkim të thjeshtë në internet me anë të Inteligjencës Artificiale (IA), si përfundim dalin disa versione të rreziqeve gjeopolitike që kanë lidhje me teknologjinë dhe mënyrën se si lidershipi duhet të gjykojë më tej.

Disa shembuj të rreziqeve gjeopolitike sipas (IA)-së janë: “konfliktet ndërkufitare ose ndërkombëtare, lufta hibride dhe sulmet kibernetike, dinamika e dedollarizimit, ndryshimi i marrëdhënieve tregtare, ekspozimi ndaj borxhit, konkurrenca për mineralet, lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë, konflikti në Lindjen e Mesme etj etj”. Në këtë drejtim, ndryshimi i peisazhit të luftërave e sidomos pas 2022-ës ka krijuar një urgjencë te re teknologjie për shtetet për tu përgatitur për rreziqet e paparashikuara.

Është e pamohueshme se një seri ngjarjesh të shpejta gjatë dekadës së fundit kanë sjellë një fragmentim të ri gjeopolitik dhe teknologjik në mbarë botën. Shtetet në këtë garë të re po bëjnë përpjekje që me anë të zotimit të teknologjisë së fundit të arrijnë disa përparësi ndaj kundërshtarit. Pra kemi hyrë në epokën e nacionalizmit teknologjik e cila kanë mbritur edhe në Ballkan, në Serbi dhe në Kroaci me programet kombëtare të blerjes së armëve bashkëkohore dhe të forcimit të ideologjive për shtete të pastra kombëtare.

Në fund, “nacionalizmi teknologjik e sheh rëndësinë e konfliktit gjeopolitik dhe sigurinë kombëtare si të parat”. Nacionalizmi teknologjik mbështetet në teknologjinë ku politikëbërja duhet të drejtohet nga konsideratat teknologjike dhe imperativat tjerë. Andaj gjeopolitika kritike padyshim se do të na shërbejë në këtë kohë të nacionalizmit teknologjik për të parë më qartë se në cilën anë të historisë duhet t’i përqendrojmë forcat. Kurse nacionalizmi teknologjik i shteteve do ta dominojë shekullin e XXI bashkë me zbulimet tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.