Standardi studentor me më shumë financa, por me korrupsion dhe digjitalizim të ngadaltë

Kushte të këqija në konviktet e studentëve, procedura të vjetruara administrative dhe dokumente në letër në numrin më të madh të universiteteve, diskriminim dhe korrupsion në amfiteatro – avancimi i standardeve studentore dhe arsimi i lartë edhe gjatë vitit që kaloi, 2023, u përball me një sërë sfidash dhe pengesash. Megjithatë, u vunë re edhe ndryshime pozitive pjesa më e madhe e të cilave ishin të iniciuara nga vetë studentët.

Meta.mk rikujton temat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e shënuan vitin e kaluar 2023 për studentët në Maqedoni.

Mbështetje më e madhe financiare për studentët nga shteti

Krahas ushqimit të subvencionuar të studentëve dhe bursave, studentët në vitin e ri do të kenë edhe një tjetër mbështetje të cilën ua ofron shteti – kuponat për transport ndërqytetar.

Në fund të vitit 2023 studentët u gjendën në mesin e kategorive më të cenueshme të qytetarëve për të cilët janë dedikuar masa të reja antikrizë. Masat për studentët u referohen atyre që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre, e kështu duke filluar nga muaji i kaluar, në llogaritë transakcionale të mijëra studentëve janë derdhur fonde për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve për transportin ndërqytetar – nga vendbanimi i tyre deri në qytetin ku ata ndjekin studimet.

Studentët marrin nga 1.200 denarë në muaj – shumë që nuk mund ta mbulojë një biletë të plotë mujore të autobusit për asnjë nga linjat në vend, por gjithsesi është lehtësim për buxhetin e brishtë të studentëve, posaçërisht tani kur kompanitë e transportit i kanë ngritur çmimet e biletave të autobusit deri në “tavan”. Këtë mbështetje studentët do ta marrin deri në qershor të këtij viti, ndonëse përfaqësues të organizatave studentore shpresojnë që kjo masë të vazhdojë të vlejë edhe në vitin e ri akademik nga muaji tetor.

Vitin e kaluar u rrit edhe shuma ditore që studentët e marrin si subvencion për ushqim. Deri në mars të vitit 2023 studentët merrnin nga 120 denarë në ditë, ndërsa nga muaji prill atyre filloi tu ndahet një shumë më e lartë prej 140 denarë në ditë. Vitin e kaluar akademik studentët këto mjete i merrnin në llogaritë e tyre transaksionale, ndërsa nga viti i ri shkollor në tetor ata filluan të blejnë ushqime përmes kartave të dedikuara te tregtarë të caktuar që përgatisin dhe shesin ushqime, gjegjësisht nga marketet, fastfood-et furrat e bukës dhe restorantet. Por, studentët mund të përdorin maksimum 140 denarë në ditë nga kartat e tyre – diçka që ka shumë gjasa të ndryshojë nga fillimi i semestrit të ri.

Sipas njoftimit të Parlamentit Studentor Universitar të UKM-së, pritet që nga semestri i ardhshëm studentët t’i marrin këto para në bazë javore, gjegjësisht në vend të 140 denarëve në ditë, atyre do t’u vihen në dispozicion 840 denarë (fonde për gjashtë ditë në javë, nga e hëna deri të shtunën) të cilën do të mund ta përdorin gjatë një jave sipas dëshirës së tyre.

Nga dy vite më parë studentët filluan të marrin bursa gati të dyfishuara në vlerë prej 6.050 denarë në muaj, për nëntë muaj të vitit. Mirëpo, një pjesë e studentëve të cilët u diskriminuan vazhduan të marrin shuma më të ulëta dhe edhe dy vjet më pas ata ende nuk e morën shumën që u detyrohej shteti pas konstatimit të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për diskriminim indirekt në politikën e shtetit për bursat.

Këta studentë duhej të nënshkruanin dy dokumente si kontratë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh), që ky institucion t’ua jepte atë që u detyrohej. Për shkak të buxhetit dukshëm problematik të Ministrisë së Arsimit, pagesa e diferencës mes shumës më të ulët dhe asaj të rritur të bursave do të bëhet në tre këste, me ç’rast pagesa e parë për studentët u bë në fund të vitit 2023. Sipas kontratës, MASh-i do të duhet të shlyejë detyrimet ndaj studentëve më së voni deri më 30 qershor të këtij viti.

Kushtet e këqija në konviktet e studentëve, rikonstruimi shtyhet vazhdimisht

Edhe pse ishte premtuar dhe parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin 2023, rikonstruimi i konvikteve shtetërore të studentëve në të gjithë vendin nuk filloi.

Mirëpo edhe ato konvikte dhe ndërtesa që janë në funksion përballen me një sërë sfidash. Problemet me ujin e ngrohtë, ngrohjen dhe (mos)funksionimin e ashensorëve ishin realitet në konviktet studentore të Maqedonisë edhe në vitin 2023.

Në konviktin e studentëve “Goce Dellçev” në Shkup pothuajse një muaj të tërë  nuk punonte asnjë nga ashensorët, në asnjërën nga katër objektet që janë pjesë e kompleksit. Ashensorët tashmë janë në funksion, por vetëm nga një në çdo ndërtesë.

ashensor, lift, konvikt
Disa nga ashensorët në Konviktin e studentëve “Goce Dellçev” nuk funksionuan me javë të tëra / foto: Meta.mk (01.12.2023)

Në konviktin studentor “Nikolla Karev” në Ohër, ndërkaq, banorët kanë raportuar se në ushqimin e restorantit studentor kanë gjetur insekte, diçka që sipas tyre ka ndodhur për tri javë rresht. Drejtori i konviktit për Meta.mk konfirmoi se kishte parë foto me insekte në ushqim, por nuk ishte i sigurt për besueshmërinë e tyre.

Uji i ngrohtë është emër abstrakt për disa studentë-banorë në konviktin studentor “Pellagonia” në Shkup, të cilët me muaj të tërë po përballen me mungesë të ujit të ngrohtë, e në disa vende nuk ka aspak ujë.

Një pjesë e konvikteve vazhdojnë të jenë të paarritshme për personat me aftësi të kufizuara. Edhe pse studenti Darko Stojanovski, i vendosur në konviktin “Stiv Naumov” në disa raste u është drejtuar autoriteteve me kërkesë për vendosjen e rampës për hyrje në mensën e studentëve në konvikt, ndërtimi i saj filloi vetëm pasi ekipi i Meta.mk kërkoi leje për të filmuar dhe e publikoi lajmin.

Mungesa e rampës hyrëse do të thotë se për një kohë të gjatë në mensën e studentëve nuk ka pasur qasje adekuate dhe të barabartë për të gjithë studentët. Pra, nuk ka dyshim se është bërë diskriminim sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Në periudhën parazgjedhore, studentët, si zakonisht, sërish u vunë në mesin e zënkave mes partive politike, e kështu ata ishin edhe viktima të tentativave për përhapjen e dezinformatave dhe manipulimeve. Duke postuar njoftime dhe postime të rreme në rrjetet sociale që dezinformojnë, subjekte të caktuara me motive partiake tentuan të shkaktojnë revoltë te studentët, por në fund nuk arritën sukses.

Fill në fund të vitit u nënshkrua kontrata me të cilën fillon renovimi i konvikteve studentore, përkatësisht i konvikteve “Kuzman Josifovski – Pitu” dhe “Stiv Naumov“. Ky rinovim bëhet në kuadër të projektit për rehabilitimin me efikasitet energjetik të konvikteve studentore, i cili zbatohet me fonde të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), në vlerë prej 20 milionë euro dhe një grant prej 5 milionë eurosh përmes Programit për efikasitet energjetik rajonal të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

darko stojanovski
Darko Stojanovski / foto: Meta.mk

Korrupsioni vazhdon të pengojë përparimin në arsimin e lartë

Tek 20 përqind të studentëve në vend ekziston mendimi se korrupsioni është i përhapur shumë ose jashtëzakonisht i përhapur në fakultetin ku ato studiojnë, ndërsa, sipas 24 përqind të tyre, korrupsioni ka qenë mesatarisht i pranishëm në fakultetet e tyre, tregon hulumtimi i realizuar nga Institutit për Hulumtime Strategjike dhe Edukim – IHSE.

Pavarësisht këtyre shifrave, vetëm 3 përqind e studentëve në mënyrë eksplicite kanë deklaruar se në një farë mënyre kanë reaguar ndaj korrupsionit në universitet. Pjesa më e madhe e tyre (59%) kanë thënë se nuk ka pasur një zyrë të posaçme për raportimin e korrupsionit, ndërsa 38% kanë thënë se nuk e dinin nëse në institucionin e tyre kishte një zyrë të tillë.

Të pyetur pse nuk raportohet korrupsioni, një e treta e studentëve në Maqedoninë e Veriut i përmendën pasojat për atë që raporton.

Nga llojet e sjelljeve të padëshiruara në fakultete, studentët thanë se mashtrimi në provime është më i përhapuri nga ana e tyre– këtë gjë e përmendën 21 përqind e të anketuarve.

Kushtëzimi i studentëve për ta blerë librin nga profesori që të mund të kalojnë në provim ose për të marrë nota më të mira është në vendin e dytë për nga frekuenca – kjo sjellje korruptive është përmendur nga 20 përqind e të anketuarve.

Në vendin e tretë është praktika e studentëve që të paguajnë persona të tjerë për të shkruar punime seminarike dhe disertacione. Nga ana tjetër, 9 përqind e studentëve kanë deklaruar se u është kërkuar tu japin ryshfet profesorëve.

Korrupsioni në sistemin arsimor është një problem që saboton shanset për përparim pozitiv dhe për këtë arsye, si mësimdhënësit ashtu edhe nxënësit duhet ta dinë rëndësinë e integritetit dhe të jenë mjaftueshëm të aftësuar dhe të informuar për të kundërshtuar praktikat korruptive dhe për të ofruar një qasje të freskët dhe të pangarkuar në luftën kundër korrupsionit. Kështu tha  zëvendëskryeministrja Sllavica Grkovska në tryezën e rrumbullakët “Edukimi kundër korrupsionit – qasjet dhe sfidat” që u mbajt në prill të vitit të kaluar.

“Krijimi i një sistemi arsimor pa korrupsion, i cili do të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit dhe studentët, është i vetmi sistem që mund të çojë në ndryshime të mëtejshme më të gjera në shoqëri. Botëkuptimi korruptiv nuk duhet të jetë pjesë e hapësirës ku formohen mendjet e reja, nëse duam që arsimi të luajë një rol ndriçues dhe të çojë përpara, drejt marrëdhënieve më të mira ndërpersonale në shoqëri, praktikave më të mira të menaxhimit dhe së fundi, kushteve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e vendit tonë dhe potencialit të tij njerëzor”, tha Grkovska.

Digjitalizim i ngadaltë: studentët ende humbasin kohë me dokumente në letër

Disa nga universitetet shtetërore kanë mbetur shumë prapa në procesin e digjitalizimit, e për pasojë studentët humbasin kohë dhe nerva për regjistrimin e semestrit në sportelet e administratës së fakulteteve, duke pritur për të paguar në banka për çdo shërbim nga fakultetet dhe duke pritur me orë të tëra për të marrë një dokument nga sportelet e administratës nëpër fakultete. Analiza jonë nxorri në pah se Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi”, Universiteti Shtetëror në Tetovë dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në periudhën e ardhshme duhet të punojnë më së shumti në digjitalizimin e shërbimeve të tyre.

Ironike është se në vitin 2023 studentët e inxhinierisë softuerike dhe sistemeve informatike, programimit, inxhinierisë kompjuterike dhe programeve të tjera studimore regjistrohen në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) duke i dorëzuar dokumentet në letër. Qindra të rinj këtë vit pritën në radhë të gjata për të dorëzuar dokumentet për regjistrim në FSHIIK.

fshiik, finki
Radhët e gjata të studentëve gjatë regjistrimit në FSHIIK, 12.9.2023; Foto: Meta.mk

E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë vendosjes së studentëve në konviktet e studentëve, ku ky proces asesi të digjitalizohet, pavarësisht se po njoftohet për të dytin vit radhazi.

Ndër zhvillimet e tjera në vitin e kaluar që kanë të bëjnë me institucionet e arsimit të lartë dhe standardin studentor është edhe zgjedhja e rektorëve të rinj të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup, detyrë të cilën e mori Prof. d-r. Biljana Angellova, si dhe në Universitetin Shtetëror në Tetovë, ku për rektor të ri u zgjodh profesori Jusuf Zejneli. Zejneli ishte kandidati i vetëm në garën për rektor, pasi tre kandidatët e tjerë u tërhoqën nga gara duke akuzuar për një sërë parregullsish.

Ndërkohë studentët e Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore (PMF) në Shkup patën probleme me hajdutë të cilët në disa raste kanë sulmuar dhe grabitur studentët. Studentët e këtij fakulteti nënshkruan një peticion me disa kërkesa për rritjen e sigurisë së tyre, pas çka fakulteti siguroi ndriçim në shkallët që më parë ishin në errësirë ​​dhe herë pas here në këtë zonë filloi të qarkullojë edhe punonjës i sigurimit.

Rreth 55 përqind e fakulteteve nuk kishin studentë me aftësi të kufizuara ose fakultetet nuk mbajnë statistika për numrin e këtyre studentëve. Asnjë fakultet nuk i publikon njoftimet dhe dokumentet e tij në formatin Braille, audioformat të aksesueshëm ose me shkrim standard në një format të zmadhuar. Vetëm në 10 përqind të fakulteteve në vend studentët me aftësi të kufizuara mund të marrin zyrtarisht literaturë në një format të aksesueshëm (audio ose digjital), ishin këto gjetjet kryesore të Аnalizës së qasjes në arsim të lartë për personat me aftësi të kufizuara.

Në ndërkohë, një pjesë e madhe e shfrytëzuesve të bursave për studime jashtë vendit edhe përkundër obligimit mbetën të punojnë jashtë Maqedonisë së Veriut. Asnjë nga studentët që nuk është kthyer në vend në përputhje me marrëveshjen e lidhur për dhënien e bursës, nuk e ka kthyer shumën e paraparë në kontratë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) as edhe një herë nuk e ka aktivizuar kambialin e nënshkruar si garanci për detyrimin e marrë, megjithëse në 13 vitet e fundit janë ndarë nga 10 deri në 25 milionë euro për studime universitare dhe pasuniversitare jashtë vendit të mbuluara nga shteti.  Këtë e treguan rezultatet e Analizave të Sindikatës së Pavarur Akademike (SPA) për leverdinë e ndarjes së bursave për studentë në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në një nga 100 universitetet e para nga lista e Shangait.

Zgjidhja fituese e studenteve Elena Nasteska dhe Maja Poposka dhe hapësira në Qendrën Kulturore Studentore

Nga lajmet e mira, vitin e kaluar u hap Qendra Kulturore Studentore  – hapësira ku punojnë, studiojnë, shoqërohen dhe argëtohen studentët e UKM-së.

Në Fakultetin e Elektroinxhinierisë dhe Teknologjive Informatike (FETI) u zbatua me sukses iniciativa për qasje në produkte menstruale falas në kuadër të fakultetit. Ajo u iniciua dhe u realizua plotësisht nga Parlamenti Studentor i Fakultetit (PSF) në FETI gjatë vitit të kaluar, me mbështetje teknike dhe financiare nga asistentët e fakultetit dhe dekanati.