Është rritur në 23.843 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 135 palestinezë janë vrarë dhe 312 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit ndërsa forcat izraelite po vazhdojnë sulmet e tyre në Rripin e Gazës, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar, transmeton Anadolu.

“Forcat okupuese izraelite kryen 12 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke rezultuar në 135 të vdekur dhe 312 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Gaza që nga 7 tetori është rritur në 23.843, ndërsa 60.317 janë plagosur, shtoi ministria.

Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Autoritetet pretendojnë se në sulmin e Hamasit janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.

Sulmet izraelite e kanë lënë Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.