Rrahje masive për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura familjare, Prokuroria nisi procedurë kundër tetë personave

Prokuroria Publike e Shkupit nisi procedurë kundër tetë personave për pjesëmarrje në një rrahje masive që ndodhi më 16 gusht në rrugën Sllavej Pllanina në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në incidentin, i cili ndodhi për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura familjare midis dy grupeve, dy persona pësuan lëndime të rënda trupore, dhe disa të tjerë u plagosën lehtë.

Një person dyshohet për tentativë vrasjeje pasi plagosi rëndë një person nga grupi kundërshtar me një dërrasë druri. Personi i lënduar pësoi frakturë në kafkë dhe hemorragji në tru. Edhe pse bëhet fjalë për një të ri që sapo ka mbushur 18 vjeç, prokuroria propozoi masë arresti shtëpiak për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit te dëshmitarët ose përsëritjes së krimit.

Një i dyshuar tjetër akuzohet për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore pasi ia theu nofullën e poshtme njërit prej pjesëmarrësve në përleshje me grushte.

Gjashtë personat e tjerë dyshohen për pjesëmarrje në përleshje. Për ta janë propozuar masa paraprake.

Për këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se natën midis 16 dhe 17 gushtit, S.D. (50), S.S. (56), A.A. (19), S.D. (18), D.R. (21), A.D. (25), S.D. (18) dhe D.D. (31), të gjithë nga Shkupi, u privuan nga liria në stacionin policor të Bit Pazarit.