Rozana Radi dhe Sany fituan Këngën Magjike, pavarësisht se u tërhoqën nga gara Arilena dhe Pirro dolën të tretët

Rozana Radi dhe Sany me këngën “Akoma”  janë fituesit e edicionit të sivjetshëm të Këngës Magjike, raporton Portalb.mk.

Në vend të dytë doli Eneda Tarifa me këngën “Më fort”, ndërsa në vend të tretë u radhit Ronela Hajati me këngën “Labirinth” pavarësisht se në vend të tretë me vota dolën Pirro Cako & Arilena Ara, të cilët u tërhoqën nga gara në natën finale.

Çmimin “Best New Artist” e mori Lore e cila konkurroi me këngën “Për ne yjet ndizen lart“.

Rozana Radi falënderoi bashkëpunëtorët e saj dhe pëçoi mesazhin e saj te publiku.

“Kjo është kupa juaj, e publikut të mrekullueshëm shqiptar, e muzikës që bashkon popuj, që nuk njeh kufi, që nuk njeh asgjë. Do të ju thoja të gjithë vajzave dhe djemve të rinj, fluturoni sa më lartë”, tha Rozana Radi.

Artisti Sany nga ana tjetër uroi të gjithë artistët që morën pjesë në këtë festival.

“Është nder të këndosh këtu, është kënaqësi dhe nder i madh”, tha Sany.

Si shkoi votimi?

Fituesin në festival e përcaktuan tre votime, ai i jurisë, votat e artistëve dhe votat e publikut.

Sipas votave të jurisë së festivalit në vend të parë u radhit Pirro Cako & Arilena Arën, në vend të dytë Jonida Maliqi dhe në vend të tretë Rozana Radi & Sany.

Megjithatë më pas sipas votave të artistëve pjesëmarrës në festival të cilët vlerësuan njëri tjetrin radhitja ndryshoi. Sipas votave të këngëtarëve të cilat iu shtuan votave të jurisë, në vend të parë u radhit Rozana Radi & Sany, në vend të dytë Eneda Tarifa dhe në vend të tretë Piro Cako & Arilena Ara.

Dy votimeve paraprake në fund iu shtuan edhe votat e publikut, sipas të cilave radhitja e tre vendeve të para nuk ndryshoi me çka u përcaktua edhe fituesi. Në vend të parë doli Rozana Radi & Sany, në vend të dytë Eneda Tarifa dhe në vend të tretë Pirro Cako & Arilena Ara, por trofeu i vendit të tretë i takoi Ronela Hajatit.

Piro Cako dhe Arilena Ara nuk performuan në finale edhe pse dolën të tretët

Pas dy netëve gjysmëfinale, në finale ishin planifikuar të konkurronin 24 këngë, por u performuan vetëm 23.

Para natës finale nga gara u tërhoqën Piro Cako dhe Arilena Ara të cilët konkurronin me duetin “Zero Gradë”.

Drejtuesi i festivalit Ardit Gjebrea tha se tërheqja e artistëve ishte për çështje shëndetësore.

Megjithatë, nëpër media kanë qarkulluar aludime të ndryshme për arsyet e tërheqjes së dy këngëtarëve të cilët shiheshin edhe si pretendentë për fitore, por nuk ka pasur ndonjë reagim nga vetë artistët.

Kënga Magjike është garë muzikore e përvitshme që organizohet nga Televizioni Klan. Gara është transmetuar çdo vit që nga viti 1999, përveç vitit 2020 dhe 2023. Sivjet ishte edicioni i 24 i festivalit.