Ronaldo përballet me padi miliardëshe shkaku i Binances

Njëri prej futbollistëve më të mirë në histori Cristiano Ronaldo po përballet me një padi në SHBA, me pretendimin se i ka bërë reklamë Binances, këmbimores më të madhe të kriptovalutave në botë, raporton BBC.Paditësit thonë se reklamimin që i ka bërë Ronaldo kësaj platforme ka shtyrë ata që të humbin investimet, raporton Koha.net.

Po kërkojnë dëmshpërblim mbi 1 miliard dollarë.

BBC-ja ka kontaktuar kompaninë menaxhuese të Ronaldos dhe Binancen për një koment.

Në nëntor të vitit 2022, Binance ka njoftuar për koleksionin e parë “CR7” të tokenave (NFT) në partneritet me Ronaldon.

Tha se futbollisti do t’i shpërblente fansat “për të gjitha vitet e mbështetjes”.

NFT-të janë asete virtuale që mund të blihen dhe shiten, por që nuk kanë formën e tyre të botës reale. Me fjalë tjera ekzistojnë vetëm në mënyrë digjitale. Si shembull, përdoren për të shënuar pronësinë e ndonjë gjëje, të një fotografie apo videoje në internet.

“CR7” i referohet inicialeve dhe numrit të fanellës së Ronaldos, dhe përdoret si markë për një sërë produktesh, nga këpucët e deri te parfumet. E ka ndihmuar futbollistin të bëhet një prej sportistëve më të pasur në botë.

Në një video në rrjete sociale, duke njoftuar për partneritetin me Binancen, Ronaldo u tha investuesve të mundshëm se “ne do të ndryshojmë lojën e NFT-së dhe do të çojmë futbollin në nivel tjetër”.

Më e lira nga koleksioni i NFT-ve “CR7” ishte 77 dollarë kur doli në shitje në nëntor të vitit 2022. Por, një vit më vonë, çmimi ra në rreth 1 dollar.

Paditësit pretendojnë se promovimi i Binances nga Ronaldo çoi në një rritje të kërkimeve prej 500 për qind për këmbimoren e kriptovalutave, që është e regjistruar në Ishujt Kajman.

Po ashtu kjo shtyu njerëzit të përdorin firmën për të investuar.

Shumë prej tyre thonë se kanë pësuar humbje të mëdha.