Blinken në takim me Kovaçevskin: Maqedonia e Veriut është faktor për stabilitet në Ballkan

Sekretari amerikan i shtetit, Antonio Blinken, ka zhvilluar takim në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke theksuar rolin e Maqedonisë së Veriut në stabilitetin rajonal, transmeton Portalb.mk.

“SHBA-ja e vlerësoi lart kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtar i NATO-s, por edhe në kontekst rajonal si faktor në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, raportojnë nga kryeministria pas takimit BlinkenKovaçevski.

Raportohet që çështje e takimit ishin edhe reformat e nevojshme që duhet të ndjek vendi në procesin eurointegrues.

“SHBA-ja do të vazhdon të mbështet Maqedoninë e Veriut në hapat e tij të ardhshëm që do të sigurojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, raportojnë nga kryeministria.

“Takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili është në vizitën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut. Si partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO, qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve moderne demokratike”, deklaroi ministri Bujar Osmani pas takimit që pati me sekretarin amerikan Blinken.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej 30 nëntor deri më 1 dhjetor do të mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje pritet që të marrin rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Është njoftuar se do të vijnë dhe krerët e diplomacive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse, Antony Blinken dhe Sergej Llavrov, edhe pse nuk ka paralajmërim për takim bilateral mes tyre, por mu kjo e bën ngjarjen ndër të rrallat ku të dy gjenden në të njëjtin vend prej fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin.