Roli i opozitës shqiptare në këto 24 vjet

Shqiptarët në Maqedoni prej vitit 2002-2024 thuajse nuk patën opozitë të strukturuar, të denjë për opozitë, me qëllime të qarta, të qëndrueshme programore opozitare e veprime konsistente. Gjithë këtë kohë (me ndonjë ndërprerje të shkurtër) në qeveri merrte pjesë BDI-ja. Partitë e tjera shqiptare shumë shpesh ishin opozitë joparimore ose parimore për aq kohë, derisa fituesi maqedonas i zgjedhjeve (qoftë VMRO ose LSDM) t’u shfaqte ofertën për pjesëmarrje në qeveri. Me t’u shfaqur kjo mundësi, harronin pozicionimin opozitar, harronin qëllimet e tyre programore (madje, me arsyetime të ndryshme para elektoratit, edhe hiqnin dorë nga shumë sosh) dhe futeshin në qeveri, vetëm e vetëm për interesa të imta individuale e grupore, pra, jo për Kauzë. Ishin opozitë e pozitës shqiptare (e BDI-së), por shumë pak ose hiç ishin opozitë konsistente e qeverisë. Kauza u ka shërbyer vetëm si opozitë – për të ardhur në pozitë.
Opozitë diçka më të etabluar ne nuk patëm derisa BDI-ja nuk u bë opozitë. Por as edhe kjo parti tani më opozitare nuk u bë e tillë sepse nuk deshi ta vazhdonte pjesëmarrjen disadekadëshe në qeveri. “Patroni” kësaj radhe zgjodhi dikë tjetër për partner! Sidoqoftë, është e shëndetshme për demokracinë në vend që kjo opozitë të qëndrojë sa më gjatë si e tillë.
Në këtë aspekt, opozita tashmë nxit dhe e ngre zërin edhe për shumë çështje të reja-të vjetra, siç janë edhe veprimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjithashtu, çështje e re/e vjetër që e inicion opozita e tashme, është e drejta për mbajtjen e provimit profesional të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Dhe kjo nxitje nuk është veprim i keq i opozitës tani. Por, si nevojë shoqërore dhe si e drejtë ligjore, kjo ka ekzistuar që nga koha kur në universitetet tona në shqip diplomoi gjenerata e parë e juristëve. Po të ishte ngritur e gjetur zgjidhje që atëherë, sot ky problem nuk do të kishte ekzistuar. Atëherë kjo opozitë e tashme ishte e fortë në qeveri mirëpo, absurditet, njeriu i dytë, madje që u bë edhe i pari i qeverisë së atëhershme, nuk u kujtua për këtë mundësi ligjore por ama, u kujdes që djali i tij këtë provim ta jepte jo në gjuhën (shqipe) në të cilën kishte studiuar, madje siç referuan disa mjete të informimit asokohe, duke bërë edhe një shkelje ligjore.
Dorën në zemër, sado që kjo opozitë me kritikat e veta opozitare dëshmohet vetëm në raport me shqiptarët që tash janë në qeveri e jo si opozitë e gjithë qeverisë aktuale, prapëseprapë, edhe si e këtillë është e nevojshme për shëndetin e demokracisë në Maqedoni. Kjo opozitë qëllon saktë në probleme sepse e di ku i ka lënë punët gjysmake apo fare të pakryera kur ajo ishte në qeveri.
Kjo opozitë politike shqiptare, nëse do të jetë vërtet konsekuente si e tillë dhe të arrijë efekte masive shoqërore-politike në shtet, do të duhet të merret me revitalizimin, riaktivizimin e masës së gjerë, alias burimeve njerëzore ekzistuese shqiptare, të atyre që akoma nuk na janë degdisur nëpër botë si mërgimtarë, pra të studentëve, shkollarëve të mesëm, arsimtarëve e profesorëve universitarë, intelektualëve e punëtorëve. Por për këtë opozitës së tashme do t’i duhet një punë më e përkushtuar e durimtare, sepse të gjitha këto burime njerëzore për dekada me radhë BDI-ja, si pjesëmarrëse nëpër qeveritë e RMV-së, i pati pacifikuar e molisur aq shumë, gjer në palcë, saqë tashmë është e vështirë të revitalizohen politikisht.
Kjo që u tha (e shkruar), nuk është e gjitha që mund të thuhet dhe qëllimi nuk ishte të thuhej diçka sa për të thënë. U shkrua e u tha më lart si premisa për të arritur në konkluzat si vijon:
(1) Zgjidhjet ekzistuese Kushtetuese si dhe ato në Preambulë që kanë të bëjnë me statusun e pabarabartë juridiko-politik të popullit shqiptar në Maqedoni, janë zgjidhje kushtetuese të pamjaftueshme e diskriminuese për popullin shqiptar në shtet dhe, si të tilla, gjatë gjithë kohës sa do të jenë në fuqi, do të gjenerojnë pabarazi nacionale, diskriminim dhe mosbesim që mund të rezultojnë edhe me kriza politike-institucionale, nënkuptuar këtu edhe thellim krizash ndëretnike;
(2) Në Kushtetutë, shteti i RMV-së do të duhet të definohet qartë e pastër si shtet qytetar;
(3) Alternativë e pikës (2): shteti i RMV-së duhet të jetë i përcaktuar si shtet binacional – i Popullit Maqedonas dhe i Popullit Shqiptar që jeton në Maqedoni. Sepse, historikisht e aktualisht, substanca e shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut, përbëhet nga Kombi Maqedonas dhe nga Kombi Shqiptar, pa e anashkaluar ekzistimin e pakicave në shtet.
(4) Ndryshimet kushtetuese duhet të nisin e të kryhen sa më parë. Nuk duhet të vazhdojë pritja e prioriteti për hapjen e Kushtetutës për qëllime të plotësimit të kërkesave të Republikës së Bullgarisë. Sepse, kusht primar i domosdoshëm për anëtarësimin e RMV-së në BE gjithnjë do të mbetet stabiliteti politik brena shtetit.
(5) Cilido qoftë modeli i shtetit (ekskluzivisht qytetar apo binacional), në ndryshimet kushtetuese kategori e qartësuar kushtetuese të jetë decentralizimi, sipas modeleve të shteteve multietnike të BE-së me të cilat shteti ynë ka analogji për nga substanca popullative-kombëtare.
P.S Nga miqtë e mi maqedonas e shqiptarë, nga këta rreshta ka gjasë ndonjëri të ndihet i hidhëruar, madje edhe i acaruar me mua. Unë jam nisur nga parimi: Mikut dhe popullit, këtu bën pjesë edhe shteti im, duhet t’u thuhet e vërteta madje edhe kur e di se ai mund të të hidhërohet!
Ato që u thanë më lart janë edhe një zë, krahas shumë zërave të tjerë të ngjashëm, se kombi maqedonas e kombi shqiptar në Maqedoni mund ta kenë shtetin e vet, vetëm e vetëm të barabartë kushtetutshmërisht!