“Lërmëni të arrij atë që dua,
sepse ajo që dua është jeta ime”.
Mimoza Ahmeti
Mimoza Ahmeti është njëra nga poetet më të mira shqiptare. Ajo u shfaq në letërsinë shqipe në prag të rënies së diktaturës duke i sfiduar normat estetike, shoqërore dhe morale të kohës.
Në vitet ’90 e botonim shpesh poezinë e saj “Këngë për Luis Ljakun” në revistat që drejtonim. Në kohën kur sapo ishte shembur një sistem shtetëror, kjo poezi u bë zëri ynë, zëri i një brezi që refuzonte të jetonte sipas kodeve të një epoke që perëndonte formalisht, por fryma e saj vazhdonte si inerci të kontrollonte vetëdijen e njerëzve, të cilët lirinë personale ende e sinkronizonin me normat anakronike.
Poezia kushtuar poetit dhe këngëtarit revolucionar katalanas, i arratisur nga Spanja gjatë diktaturës së Frankos, është himn për lirinë personale dhe revoltë artistike kundër konformizmit të pranishëm në shoqëritë që udhëhiqen me kodet e katragjyshërve pa emër.
Kjo është poezi për njeriun që jeton sipas vullnetit të lirë dhe nuk dëgjon “zërat e jashtëm” që kërkojnë të jemi të kufizuar. Frika që na pengon të hedhim çdo hap, na kujton vargjet e Migjenit për vullnetet e ndrydhura dhe të shtypura, që shkaktojnë depresion.
Për njeriun e lirë është tmerr mosveprimi dhe humbja e lirisë personale. Njeriu i lirë së brendshmi më parë rrezikon, sesa të vdekërojë pa bërë asgjë.
“Rruga si rruga,
me tmerret e saj.
Ti mos u nis – më thua – që tani.
Tmerr është për mua
të mos bëj çfarë dua.
Kam qejfin tim
dhe s’pyes asnjeri.
Lufta si lufta,
me varret e saj.
Ti mos u vrit – më thua – kaq i ri.
Vdekjes s’i dihet,
po edhe sikur t’i dihej,
kam qejfin tim
dhe s’pyes asnjeri.
Kënga si kënga,
me britmat e saj.
Ti mos këndo – më thua – në këtë zi.
Kënga nuk mbahet,
po edhe sikur të mbahej
kam qejfin tim
dhe s’pyes asnjeri.”
Mimoza Ahmeti sot shfaqet në një spektakël televiziv, por ajo është përtej “fermës” së muhabeteve të kota, kurse turmës inerte nuk i detyrohet për asgjë. Por përkrahja që gëzon, dëshmon se publiku mund të pëlqejë diçka ndryshe nga shterpësia. Varet se çfarë përmbajtjesh mediatike sjellë media.
Mimoza Ahmeti ka qenë e njohur prej kohësh në qarqet letrare dhe do të jetë përherë. Shpresoj ta fitojë këtë garë dhe sa më shpejt të rikthehet në Republikën Letrare, të cilës i ka takuar dhe do t’i takojë përgjithmonë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.