Rokas: Nevojitet konsensus politik për Kodin Zgjedhor
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, deklaroi se Kodi Zgjedhor ka marrë vlerësim pozitiv nga ODIHR-i dhe Komisioni Evropian, por theksoi se miratimi i tij kërkon konsensus politik ndërmjet partive. Sipas tij, mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me modelin e votimit të diasporës, ndërsa shprehu besimin se partitë do të arrijnë marrëveshje, transmeton Portalb.mk.
“ODIHR dhe KE dhanë një vlerësim pozitiv, por ajo që mbetet janë modalitetet. E kuptoj që ka mosmarrëveshje kur bëhet fjalë për këto modalitete, por ndiej se ka vullnet të mirë për t’i kapërcyer ato. Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet tashmë është duke punuar dhe shpresoj që palët do të jenë në gjendje të ulen dhe të arrijnë një konsensus për këtë çështje të ndjeshme për një çështje kaq të rëndësishme. Themelet e ligjit dhe vetë ligji janë vërtet të mira”, tha Rokas gjatë promovimit të pajisjeve të reja ushtarake në kazermat Ilinden.
Rokas u ndal edhe te zbatimi i reformave nga Plani i Rritjes, duke theksuar se shumica e detyrimeve janë përmbushur. Raporti do t’i dërgohet Komisionit Evropian brenda dhjetë ditëve, ndërsa vlerësimi përfundimtar pritet në shtator.
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) në opozitë, Venko Filipçe, sot i pyetur për deklaratën e ambasadorit Rokas, se Kodi Zgjedhor është i mirë dhe se nevojitet konsensus midis qeverisë dhe opozitës për dallimet që kanë për disa çështje, tha se qëndrimet e LSDM-së në lidhje me këtë ligj janë të qarta – ata nuk do të lejojnë grabitje zgjedhore.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria është e gatshme të bisedojë për mënyrën e votimit të diasporës dhe se mbetet e hapur edhe për modele alternative, përfshirë votimin me postë. Ai shtoi se deri më tani vendi ka siguruar 140 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa me financimin e ri kjo shumë mund të arrijë në 240 milionë euro.
Ndërkaq, deputeti Antonio Milloshoski vlerësoi se Maqedonia e Veriut është ndër vendet udhëheqëse në rajon për zbatimin e reformave, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ai u bëri thirrje partive të mos bllokojnë ligjet që lidhen me agjendën reformuese, pasi ato janë të rëndësishme për avancimin e integrimit evropian dhe sigurimin e më shumë fondeve nga Plani i Rritjes.
Kodi zgjedhor është pjesë e Agjendës Reformuese, me afat miratimi deri në qershor, afat që tashmë ka kaluar. Nëse nuk miratohet brenda dhjetë ditëve, kur edhe raporti do t’i dërgohet Komisionit Evropian, kjo reformë do të mbetet e pazbatuar.