RMV, vjedhja e identitetit, urrejtja me bazë racore dhe ekstremizmi fetar janë frika më e madhe “online” e qytetarëve

Mbi 71 përqind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut mendojnë se rreziku për t’u bërë viktimë kibernetike po rritet. Vetëm një e treta mendojnë se mund të mbrohen mjaftueshëm nga rreziqet e krimeve që ndodhin në internet, prandaj, për këtë arsye numri më i madh i  qytetarëve, sidomos të rinjtë dhe ata me shkallë më të lartë të arsimit janë të kujdesshëm kur kyçen në internet, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Nga të gjitha llojet e aktiviteteve kriminale kibernetike, qytetarët janë më të shqetësuar se mund të bëhen viktima të vjedhjes së identitetit (83,7%), se llogaritë e tyre online mund të hakohen (82,5%), se mund të bëhen viktimë e mashtrimit kur i përdorin kartelat bankare (82%) dhe të hasin në materiale që përhapin urrejtje racore ose ekstremizëm fetar (80,3%), ose pornografi për fëmijë (76,2%).

76,1 përqind e qytetarëve e dinë se çfarë është siguria kibernetike dhe mendojnë se janë të informuar “mjaftueshëm”për këtë temë, tregojnë rezultatet e anketës së opinionit publik të qytetarëve lidhur me sigurinë kibernetike të realizuar për Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE).

Sipas raportit të anketës, më shumë se gjysma e qytetarëve (58,4%) janë të shqetësuar se të dhënat e tyre personale nuk ruhen në mënyrë të sigurt nga ana e institucioneve. Pothuajse po aq qytetarë (58,7%) janë të shqetësuar edhe se ueb-faqet  nuk i ruajnë të dhënat e tyre personale në mënyrë të sigurt.

Për këtë arsye 74,3 përqind e të anketuarve thonë se e shmangin zbulimin e të dhënave të tyre personale në internet.

Gjithnjë e më shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut besojnë se rreziku për t’u bërë viktimë kibernetike po rritet, ndërsa perceptimi për atë nëse ata mund të mbrohen nga rreziqet e krimit kibernetik është i ndryshëm – 32,8 përqind mendojnë se mund të mbrohen mjaftueshëm, ndërsa 31,2 përqind nuk pajtohen me këtë mendim.

Pothuajse 16% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë qenë viktima të krimit kibernetik ose ngacmimeve online, me ç’rast përqindja më e lartë e tyre kanë qenë me shkallë më të lartë të arsimit, si dhe të anketuarit që vijnë nga Rajoni i Pellagonisë dhe ai Vardarit.

Numri më i madh i qytetarëve (46,5%) nuk dinë nëse në vendin tonë ekzistojnë subjekte ku mund të raportohet krimi kibernetik, ndërsa 23,9 përqind mendojnë se nuk ka adresë ku mund t’i raportojnë aktivitetet ilegale online.

Çfarë bëjnë qytetarët për të mbrojtur privatësinë e tyre në internet?

Gjatë blerjes së shërbimeve dhe produkteve online qytetarët më së  shumti i shqetëson mundësia e keqpërdorimit të të dhënave personale (53,4%), pamundësia për t’i kontrolluar fizikisht produktet (48,1%), siguria gjatë pagesave online (40,1%) dhe mospërputhshmëria e fotografisë online të produkteve me cilësinë reale të produkteve që blihen (39,4%).

Për ta mbrojtur privatësinë e tyre gjatë përdorimit të internetit, pjesa më e madhe e të anketuarve në tre vitet e fundit kanë deklaruar se ata vizitojnë vetëm ueb-faqe që i dinë dhe që u besojnë, nuk përdorin kompjuter tjetër përveç kompjuterit të tyre, se kanë instaluar software antivirus, përdorin fjalëkalime të ndryshme dhe postë me e-mail vetëm me njerëz që i njohin.

Qytetarët, padyshim, kanë edhe praktika të mira gjatë kyçjes në internet në vende publike, e kështu pjesa më e madhe e tyre (48 përqind) kanë thënë se kyçen në një “Hotspot” nga pajisja e tyre. Pothuajse 45 përqind kanë thënë se kyçen në rrjet që është i aksesueshëm dhe i mbrojtur me fjalëkalim, pothuajse 35 përqind me një rrjet që e njohin, ndërsa 27,7 përqind janë kyçur me rrjetet Wi-Fi pa pagesë. Të anketuarit më të rinj, për dallim nga më të rriturit, e përdorin më shumë internetin në vende publike.

Masa të sigurisë gjatë përdorimit të pajisjeve të tyre marrin 72,5 përqind e qytetarëve, ndërsa 27,5 përqind të tjerët nuk ndërmarrin asgjë.

Sipas rezultateve të anketës të realizuar për AKE, ka dallime të caktuara për sa i përket moshës, shkallës së arsimit dhe statusit të punës në lidhje me masat e sigurisë. Konkretisht, të anketuarit në moshë nga 25 deri në 55 vjet, të anketuarit me shkallë më të lartë të arsimit, si dhe ata që janë të punësuar dhe studentë, përfaqësojnë përqindjen më të lartë të atyre që kanë deklaruar se marrin masa sigurie gjatë përdorimit të pajisjeve të tyre, krahasuar me të tjerët.

Software antivirus përdorin 58 përqind e qytetarëve, ndërsa 86,5 përqind e të anketuarve kanë deklaruar se i azhurnojnë programet, aplikacionet dhe sistemet operative në pajisjet e tyre. Të anketuarit më të rinj dhe ata me një shkallë të lartë arsimi ka më shumë gjasa që t’i azhurnojnë programet, aplikacionet dhe sistemet operative në pajisjet e tyre.

Pothuajse 30 përqind e qytetarëve nuk i kanë ndryshuar fjalëkalimet gjatë vitit të fundit

Fjalëkalime për qasje në pajisjet që i përdorin kanë pak më shumë se tre të katërtat e të anketuarve (78,6%), gjë që sërish është më e theksuar tek të anketuarit më të rinj dhe tek ata me shkallë më të lartë të arsimit.

Pjesa më e madhe e të anketuarve fjalëkalimet që i përdorin për rrjetet e tyre sociale, e-mail apo e-banking, përbëhen nga një kombinim shkronjash, numrash dhe simbolesh, e këtë përgjigje e kanë dhënë pothuajse 79 përqind e të anketuarve.

34 përqind kanë thënë se fjalëkalimet e tyre përmbajnë të paktën 8 karaktere. Fjalëkalimet e 18,5 përqind e të anketuarve kanë përmbajtur të dhëna personale si data e lindjes apo emrat e fëmijëve, ndërsa 8,2 përqind kanë përdorur fjalë të rastësishme si fjalëkalim. Të anketuarit më të rritur dhe ata me shkallë më të ulët të arsimit përdorin më shpesh të dhëna personale në fjalëkalimet e tyre.

Ndërkaq, rreth 20 përqind e qytetarëve nuk munden, gjegjësisht nuk dinë të dallojnë një fjalëkalim të sigurt.

Për t’i mbajtur mend fjalëkalimet e tyre, shumica e tyre (48,4) i mbajnë mend fjalëkalimet e tyre dhe nuk i shënojnë askund. Nga ana tjetër, 19,4 përqind fjalëkalimet i shkruajnë në kompjuterët ose celularët e tyre, 16,8 përqind në fletore, ndërsa 15 përqind fjalëkalimet e tyre i kanë ruajtur në tabelën për hyrje në shfletuesin e tyre të internetit.

7,7 përqind kanë thënë se fjalëkalimet e tyre i ruajnë në një aplikacion për menaxhimin e fjalëkalimeve.

Më pak se një e treta ose 29,5% e të anketuarve nuk i kanë ndryshuar fjalëkalimet e tyre në 12 muajt e fundit, ndërsa rreth gjysma e të anketuarve i kanë ndryshuar fjalëkalimet e tyre në rrjetet sociale (47,6%), si dhe ato të e-mail-it (42, 5%).

Më shumë se gjysma e qytetarëve nuk përdorin identifikimin me dy faktorë dhe nuk bëjnë “back-up” të të dhënave

Pjesa më e madhe ose 58,6% e të anketuarve nuk përdorin identifikim me dy faktorë dhe në të shumtën e rasteve këtë nuk e bëjnë sepse nuk e dinë se çfarë nënkupton kjo (39,4%), ndërsa 35,5% nuk mendojnë se kanë nevojë për këtë.

Më shumë se gjysma e qytetarëve (56,2%) nuk ruajnë një kopje të sigurt (back-up) të të dhënave të rëndësishme në pajisjet eksterne ose në “cloud”, ndërkohë që 39,7 përqind përdorin, dhe këta janë sërish ata të moshës nga 25 deri në 55 vjet, si dhe personat me shkallë më të lartë të arsimit.

Anketa përmban edhe të dhëna për përdorimin e rrjeteve sociale, me ç’rast 97,4 përqind e qytetarëve kanë deklaruar se përdorin të paktën një rrjet social. Më të përdorurat në vend janë Viber (88,5%), Facebook (88,5%) dhe Messenger (82,1%), pastaj vjen YouTube (72,9%) dhe Instagram (59,2%).

Të anketuarit kanë deklaruar se në rrjetet sociale zakonisht e japin emrin dhe mbiemrin e vërtetë, vendosin foto personale, vendbanimin dhe e-mailin. Një numër pak më i vogël se këto  në profilet e tyre e zbulojnë edhe datëlindjen dhe numrin e celularit.

Pjesa më e madhe e të anketuarve janë të informuar për ekzistencën e politikave të privatësisë në ueb-faqet e rrjeteve sociale, ndërsa pothuajse 44 përqind mendojnë se këto politika janë efektive.

Pjesa më e madhe e anketuarve ose 70,6% i besojnë pjesërisht politikave të privatësisë së rrjeteve sociale që i përdorin, ndërsa 21% e tyre nuk u besojnë fare politikave të privatësisë.

Anketa për AKE-në është realizuar në periudhën nga 20 tetori deri më 6 nëntor të vitit 2023 me përdorimin e metodës CAPI – anketim në terren me ndihmën e kompjuterit, në një mostër prej 1.400 pjesëmarrësve.