Greva në Fondin e Shëndetësisë është vënë në pauzë, qytetarëve do t’iu ofrohen të gjitha shërbimet

Greva në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) është vënë në pauzë, pasi Qeveria dje ka marrë vendim që të punësuarve të mos u reduktohen pagat, siç ishte paralajmëruar paraprakisht, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën e sotme për media, drejtorët e përgjithshëm Magdalena Filipovska-Grashkovska dhe Asaf Abduramani, zëvendësministrja e Shëndetësisë Maja Manoleva, si dhe dy përfaqësues nga sindikata (Branko Axhigogov) dhe nga SPAGj-i (Trpe Deanoski) falënderuan Qeverinë, veçanërisht kryeministrin teknik Talat Xhaferin.

Axhigogov njoftoi se nga sot të gjitha shërbimet dhe njësitë rajonale janë të hapura dhe se të gjitha shërbimet janë në dispozicion të qytetarëve. Deanoski, ndërkaq, tha se greva është ndërprerë, sepse vendimi që nuk do të ketë reduktim vlen deri më 31 maj 2024 dhe nëse vendimi ndryshohet pas kësaj, punëtorët do të reagojnë sërish.

“Prandaj thashë se greva është pezulluar, por të gjitha shërbimet e Fondit do të kryhen rregullisht dhe qytetarët do të shërbehen rregullisht. Tre ditë grevë nuk janë shumë, por kjo tregoi forcën e punëtorëve. Data 31 maj është për shkak të zgjedhjeve, do të presim të përfundojnë dhe do të ketë një ribalancim të buxhetit, pas së cilës do të presim të shohim se si do të jetë vlerësimi i pikëve. Shpresoj se do të ruajë vlerën e saj aktuale. Asnjë qytetar nuk do të dëmtohet nga kjo që ka ndodhur”, tha Deanoski.

Filipovska-Grashkovska tha se pas zgjidhjes së këtij problemi pret që të punësuarit t’u kthehen detyrave aktuale, por edhe reformave të nisura në institucion.

Punonjësit e FSSh-së dolën të hënën në grevë, duke kërkuar që pagat e tyre këtë vit të jenë të barabarta me pagën e dhjetorit të vitit 2023, me rritjen e përcaktuar prej 15 për qind. Ata shprehën pakënaqësi për uljen e mundshme të pagave për 21 për qind.

Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi të anulojë rekomandimin për Bordin e Drejtorëve të FSSh-së nga data 9 janar 2024 dhe miratoi një rekomandim të ri që i referohet vlerës aktuale të pikës së llogaritjes së pagës, e vlefshme nga 1 janari 2024 deri më 31 maj 2024.