Qeveria u pajtua me Fondin për Sigurim Shëndetësor që deri në maj mos të ketë ulje të rrogave për të punësuarit

Ushtruesi i Detyrës në pozitën e Drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, Asaf Abduramani, ka njoftuar që institucioni që drejton dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë arritur marrëveshje për mosuljen e pagave te të punësuarit në Fond, transmeton Portalb.mk.

“Të nderuar kolegë, bashkëpuntorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, sot Kryeministri z. Talat Xhaferi në bashkëpunim të ngushtë me ne si Fond dhe institucionet tjera kompetente, arritëm në një vendim të përbashkët për vlerë të njejtë të pagave (deri në 31 Maj 2024)”, deklaroi Abduramani.

Abduramani ka theksuar që ky vendim do të vlejë deri në “zgjidhjen e përhershme”.

Ndryshe, sot greva në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) ishte në ditën e dytë me radhë, pasi nga dje punonjësit në njësitë rajonale kryejnë vetëm detyrat më urgjente. Sipas njoftimit, komisionet mjekësore që zgjasin ditët e pushimit mjekësor të punonjësve për ata që kanë nevojë do të funksionojnë pa probleme, si dhe shërbimet që lidhen me kërkesën për rehabilitim, për ndihmat ortopedike, certifikimin e mjeteve ndihmëse ortopedike, për kompensimin e pushimit të lehonisë dhe për pagesën e pushimit mjekësor, për sigurim jashtë vendit, për formularë dygjuhësh etj.

Punonjësit e FSSh-së janë në grevë për shkak të rekomandimit të Qeverisë për uljen e pagave me 21 përqind.