RMV, sot përfundon paraqitja e parë nga afati i qershorit për regjistrim në shkollat e mesme, deri tani kanë aplikuar 13 mijë nxënës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës rikujton se sot është dita e fundit për parashtrimin e aplikimeve në kuadër të paraqitjes së parë të regjistrimit në afatin e qershorit për regjistrim në arsimin e mesëm në vitin shkollor 2025-2026, transmeton Portalb.mk.
“Aplikimet mund të parashtrohen deri në fund të ditës. Paraqitja e dytë është më 30 qershor, ndërsa lista përfundimtare e renditjes pas të dy paraqitjeve do të publikohet nga shkollat më 2 korrik. Ju rikujtojmë se regjistrimi është elektronik dhe realizohet përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, ku nxënësit identifikohen me llogaritë e tyre të përdoruesit në schools.mk. Njëkohësisht, reagojmë dhe demantojmë artikujt në disa media, ku thuhet se sistemi funksionon me vështirësi ose është bllokuar plotësisht”, thonë nga MASH.
Nga kjo Ministri shtojnë se nuk ekziston asnjë sfidë në punën e platformës, në të cilën deri më tani janë parashtruar 13,200 aplikime, që do të thotë se pjesa më e madhe e gjysëmmaturantëve të shkollave të mesme janë paraqitur tashmë për të vazhduar arsimimin e tyre.
Konkursi me vende të lirë të punës është shpallur në këtë link.
Përndryshe, për të aplikuar për regjistrim në shkollë të mesme, duhet të shkoni në e-uslugi.mon.gov.mk dhe më pas të hyni në profilin tuaj me emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin tuaj në schools.mk (që i ka çdo nxënës i klasës së nëntë). Për të aplikuar, duhet të futni të dhënat tuaja personale dhe më pas të futni manualisht çdo notë për secilën lëndë, të shënuar në secilën dëftesë të klasës së 6-të deri në të 9-të, në aplikacion.
Përveç futjes manuale të notave, duhet të ngarkoni të katër dëftesat në formë elektronike, së bashku me një certifikatë lindjeje (si dhe diploma nga vendet e fituara në garat shtetërore). Kur të përfundoni procesin, do të merrni një mesazh se aplikimi është dorëzuar me sukses dhe vetë aplikimi do të tregojë se sa pikë ka kandidati bazuar në të dhënat e futura.