RMV, sonte në mesnatë përfundon publikimi i rezultateve të sondazheve për zgjedhjet lokale të vitit 2025

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale u kujton readiodifuzerët se, në përputhje me Kodin Zgjedhor, rezultatet e sondazheve të opinionit publik në lidhje me zgjedhjet lokale të vitit 2025 mund të publikohen jo më vonë se pesë ditë para datës së caktuar për raundin e parë të zgjedhjeve, pra jo më vonë se ora 24:00 e 13 tetorit 2025, transmeton Portalb.mk.

“Media, kur publikon rezultatet e sondazheve të opinionit publik në lidhje me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, është e detyruar të japë të dhëna për emrin e porositësit që kërkoi dhe pagoi për sondazhin, institucionin që e kreu sondazhin, metodologjinë e aplikuar, madhësinë dhe strukturën e mostrës së anketuar dhe periudhën në të cilën është kryer sondazhi. Rezultatet e sondazheve të opinionit publik të kryera në vetë ditën e zgjedhjeve nuk mund të publikohen para mbylljes së qendrave të votimit”, thonë nga AShMAA.

Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore në Maqedoni për zgjedhjet lokale të vitit 2025 është 1,832,415 votues. Nga këta votues, 1,717,803 janë të regjistruar në certifikatat e Listës së Votuesve, ndërsa 112,000 votues janë të regjistruar në Listën e posaçme të Votuesve për personat që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, 2,162 votues që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe 450 votues nga azilet e pleqve. Votimi në diasporë nuk zhvillohet në këto zgjedhje.

Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.