Komunat në RMV në vitin zgjedhor 2025 ndanë mbi 4 milionë euro ndihma për qytetarët, gati 1 milion euro më shumë se në 2024
Gjithsej 63 komuna në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025 kanë shpenzuar 4.056.482 euro për forma të ndryshme të mbështetjes financiare dhe subvencione për qytetarët, tregojnë të dhënat e hulumtimit të publikuar sot nga Qendra për Komunikime Qytetare, transmeton Portalb.mk.
Sipas hulumtimit, shuma e ndarë për ndihma dhe subvencione është pothuajse 1 milion euro më e lartë krahasuar me vitin 2024.
Mbështetja financiare është dhënë mbi bazën e 92 kategorive të ndryshme, ndërsa shumat individuale arrijnë deri në 100 mijë denarë për martesë dhe deri në 200 mijë denarë për fasadë.
Në total, nga këto mjete kanë përfituar 58.290 qytetarë.
Sa i përket numrit të qytetarëve të përfshirë me ndihma, në krye janë komunat Gazi Babë dhe Kisella Vodë, me nga më shumë se 10 mijë banorë të përfshirë në skemat e mbështetjes.
Ndërkaq, më së shumti mjete kanë ndarë komunat e Shkupit Aerodrom dhe Qendër, të cilat secila kanë shpenzuar më shumë se gjysmë milioni euro.
Hulumtimi konstaton se secila komunë zbaton rregullat, emërtimet dhe kriteret e veta për ndarjen e ndihmave. Për këtë arsye, nuk ka unifikim të shumave që komunat i paguajnë për të njëjtën kategori.
Për shembull, për një të porsalindur komunat paguajnë nga 3.000 deri në 30.000 denarë, ndërsa ndihma për nxënësit që regjistrohen në klasë të parë varion nga 2.000 deri në 8.000 denarë.
Qendra për Komunikime Qytetare thekson gjithashtu se mbetet e paqartë nëse komunat kanë kompetenca për dhënien e këtyre subvencioneve dhe ndihmave, veçanërisht duke pasur parasysh se secila prej tyre zbaton rregulla, procedura, shuma dhe kategori të ndryshme.
Të dhënat janë publikuar në kuadër të një hulumtimi mbi paratë që komunat i ndajnë për subvencione dhe ndihmë financiare për qytetarët.