RMV, përfaqësimi i shqiptarëve në institucione dhe pozita udhëheqëse me 20,6% për dallim prej maqedonasve me 72,8%

Përqindja e popullsisë etnike në RMV nuk përputhet me përqindjen e përfaqësimit të etniteteve nëpër institucionet shtetërore. Maqedonasit, të cilët sipas regjistrimit të vitit 2021 ishin 57,86% popullatë rezidente në vend, në po të njëjtin vit, në institucionet shtetërore janë përfaqësuar me 72,8%, ndërkaq edhe në vitet tjera, situata thuajse është e njëjtë. Nga ana tjetër, shqiptarët të cilët në vitin 2021 ishin 24,30% popullatë rezidente, në po të njëjtin vit në institucionet shtetërore janë përfaqësuar me 20,6%. Ndasia është më e madhe në pozitat udhëheqëse ku maqedonasit janë përfaqësuar me 78,3%, ndërkaq shqiptarët me vetëm 15,8%.

Kështu tregon analiza e Portalb.mk, bazuar në të dhënat e siguruara nga Barometri i Përfaqësimit të Drejtë të “Institutit Publik Arbën Xhaferi”, bazuar në të dhënat e Avokatit të Popullit dhe krahasuar me të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave nga Regjistrimi i Popullsisë në vitin 2021.

Sipas të dhënave të Barometrit të “Arbën Xhaferi”, maqedonasit prej vitit 2014-të, deri në vitin 2022, në institucionet shtetërore të RMV kanë zënë prej 71,9 deri në 74,8% të vendeve të punës, derisa sipas regjistrimit të vitit 2021 ata përbënin 58,44% të popullatës së përgjithshme rezidente. Numrat e këtillë tregojnë disproporcion të përqindjes së popullatës maqedonase, me përqindjen e përgjithshme të të punësuarve në institucionet shtetërore, madje për mbi 15%.

Nga ana tjetër, shqiptarët në këto vite kanë përfshirë prej 18,6 deri në 21,4% të të punësuarve në institucionet shtetërore. Sipas këtyre të dhënave, prej vitit 2014-të deri në vitin 2022, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione shtetërore është për 2,8%. Por, megjithatë përfaqësimi i shqiptarëve nuk është adekuat, nëse merret për bazë numri i popullatës rezidente që jeton në RMV, e cila sipas vitit 2022 është 24,30 përqind. Sipas këtyre numrave, shqiptarët nuk përfaqësohen në mënyrë adekuate, edhe atë me minus prej rreth 5%.

Përfaqësimi i etniteteve në institucionet shtetërore. Infografik nga Portalb.mk, të dhënat Instituti i Poilitikave Publike "Arbën Xhaferi"/Avokati i Popullit
Përfaqësimi i etniteteve në institucionet shtetërore. Infografik nga Portalb.mk, të dhënat Instituti i Poilitikave Publike “Arbën Xhaferi”/Avokati i Popullit

Situata është më e disfavorshme për shqiptarët në pozitat udhëheqëse.

Sipas të dhënave të barometrit, prej vitit 2016-të deri në vitin 2022, maqedonasit kanë zënë prej 77,9 deri 79,5% të pozitave udhëheqëse, ndërkaq shqiptarët prej 14,5 deri në 16,3%. Këtu shihet disproporcion edhe më i thellë, krahasuar me përqindjen e këtyre dy etniteteve në RMV, sipas regjistrimit të vitit 2021. Maqedonasit në këtë rast zënë mbi 20% më shumë të pozitave udhëheqëse se sa përqindja e tyre rezidente në vend, sipas regjistrimit të vitit 2021. Nga ana tjetër shqiptarët, zënë rreth 7-8% më pak të pozitave udhëheqëse se sa ju takon, sipas përqindjes së tyre rezidente në RMV.

Romët, turqit, boshnjakët të diskriminuar, vllehët dhe serbët të privilegjuar

Nëse analizohen të dhënat për komunitetet tjera etnike, ashtu siç edhe ka deklaruar paraprakisht Avokati i Popullit, romët janë popullata më diskriminuar për nga përfaqësimi i tyre në institucionet shtetërore, krahasuar me përqindjen e popullatës së tyre në vend. Për shembull, prej vitit 2014-të deri në vitin 2022, përfaqësimi i tyre është vetëm 1,3 deri në 1,4%, ndërkaq në regjistrimin e popullatës në vitin 2021, romët rezident ishin 2,53%, apo thuajse dyfish më shumë se sa përqindja e përfaqësimit të tyren ë institucionet shtetërore.

Situata me përfaqësimin e romëve është edhe më e rëndë në pozitat udhëheqëse ku ata prej vitit 2016-të deri në vitin 2022, përfaqësohet me 0,2 deri në 0,6%.

Turqit, si komuniteti i tretë më i madh në vend, i cili sipas regjistrimit të vitit 2021 përfshin 3,86% të popullatës rezidente në vend, megjithatë sipas të dhënave të barometrit prej vitit 2014 deri në vitin 2022 ata përbëjnë prej 1,9 deri në 2,1% të të punësuarve. Krahasuar me përqindjen e popullatës, ata janë të përfaqësuar në institucione me 1,7% më pak. Në ndërkohë situata është edhe më e rënduar në pozitat udhëheqëse ku turqit zënë prej 1,2 deri në 1,7%.

Përfaqësimi i etniteteve në Pozitat udhëheqëse. Infografik nga Portalb.mk, të dhënat Instituti i Poilitikave Publike "Arbën Xhaferi"/Avokati i Popullit
Përfaqësimi i etniteteve në Pozitat udhëheqëse. Infografik nga Portalb.mk, të dhënat Instituti i Poilitikave Publike “Arbën Xhaferi”/Avokati i Popullit

Serbët nga ana tjetër, si komuniteti i pestë për nga numri i popullsisë në vend, ku sipas regjistrim të vitit 2021 përbëjnë 1,30% të popullatës, janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate, nëpër institucione, gjegjësisht ata zënë 1,4% të vendeve të punës në institucionet shtetërore. Pozita e serbëve në pozitat udhëheqëse është edhe më e leverdishme, gjegjësisht prej vitit 2016-të, deri në vitin 2022, ata ushtrojnë prej 1,8 deri në 2,4% të vendeve të punës. Kjo tregon se në proporcion me numrin e tyre në vend, ata janë të përfaqësuar me 1,1% më shumë në pozitat udhëheqëse.

Boshnjakët, si komuniteti i gjashtë për nga numri në vend, të cilët sipas regjistrimit të vitit 2021 përbëjnë 0,87% të popullatës së RMV-së, prej vitit 2014-të deri në vitin 2022 përbëjnë prej 0,1% deri në 0,6% të të punësuarve në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i tyre është pothuajse identik edhe në pozitat udhëheqëse. Varësisht prej viteve, përfaqësimi i tyre ndryshon dhe herë është adekuat, por në të shumtën e rasteve është nën përqindjen e popullatës boshnjake në vend.

Vllehët, janë komuniteti i shtatë për nga madhësia e komuniteteve në RMV, të cilët sipas regjistrimit të vitit 2021 ata kanë përbërë 0,47% të popullatës. Ata janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate në institucionet shtetërore të vendit, gjegjësisht ata prej vitit 2014-të deri në vitin 2022 përbëjnë prej 0,6 deri në 0,7% të të punësuarve. Përfaqësim edhe më të mirë, vllehët kanë në pozitat udhëheqëse, gjegjësisht ata prej vitit 2016-të deri në vitin 2022 përbëjnë prej 1 deri në 1,1% të pozitave udhëheqëse. Krahasuar me përqindjen e tyre në regjistrim, ata zënë dyfish më shumë vende pune në institucione.

Ndryshe, të dhënat në fjalë janë në domenin publik dhe janë publikuar nga Avokati i Popullit në kuadër të raportet vjetore për monitorimin e gjendjes lidhur me zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat sipas përkatësisë etnike. Përveç kësaj, siç shkruan në Baromentrin e “IPP Arbën Xhaferi” duhet theksuar se të dhënat nga Avokati i Popullit nuk janë të disponueshme për vitin 2019, duke qenë se ky ishte viti i pandemisë Covid19 dhe shumë institucione u mbyllën dhe nuk iu përgjigjën anketës zyrtare që Avokati i Popullit përdor për të mbledhur të dhëna.

Barometri i Përfaqësimit të Drejtë përpilon dhe paraqet në mënyrë të qasshme dhe të kërkueshme nivelet vjetore të përfaqësimit të komuniteteve dhe të grave në 144 institucione publike në ekzekutiv, legjislativ dhe në gjyqësor, por edhe në agjencitë e pavarura, ndërmarrjet publike dhe institucionet lokale. Të dhënat, në mënyrë të detajuar për çdo institucion mund t’i shihni: KËTU.