RMV, raportet revizionit tregojnë keqpërdorime të parave, pse organet e drejtësisë qëndrojnë indiferente?

Enti shtetëror për revizion (EShR) është institucion i pavarur për auditimin e përdorimit të buxhetit dhe mjeteve të tjera publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky ent është krijuar me qëllim të mbrojtjes së interesave të shtetit, përkatësisht të qytetarëve si tatimpagues për shpenzimin e qëllimshëm dhe efikas të fondeve publike për të siguruar funksionet e shtetit. Detyra ligjore e EShR-së është auditimi i përdorimit të fondeve publike dhe informimi i institucioneve shtetërore dhe publikut për përdorimin korrekt të fondeve. Megjithatë, duket se raportet e tij, që shpalosin në vazhdimësi keqpërdorime nga institucionet shtetërore nuk po merren seriozisht. Rasti më i mirë për ta ilustruar këtë të vërtetë është shpallja e kryetarit aktual të Strugës Ramiz Merko non-ngrata nga ShBA-të. Në vitin 2019, Enti në fjalë, publikoi raport në të cilin konstatoi se në Komunën e Strugës ka llogari të bllokuar, rritje të detyrimeve financiare, procese gjyqësore – seri lëshimesh, mospërputhje dhe veprime në kundërshtim me legjislacionin pozitiv. Gjetjet e raporteve të revizionit për Strugën i referoheshin një periudhe në të cilën komuna drejtohej pikërisht nga kryetari Ramiz Merko, shkruan Portalb.mk.

“Raportet financiare nuk e paraqesin gjendjen e vërtetë dhe objektive, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të komunës së Strugës në llogarinë e buxhetit themelor. Transaksionet dhe informacionet financiare, të pasqyruara në raportet financiare të llogarisë në buxhetin themelor, nuk janë në përputhje me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe praktikat e përcaktuara”, theksohej atëkohë në raportin e Revizionit.

Edhe Komisioni për Antikorrupsion në vitin 2019-të kërkoi që kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko të ndiqet penalisht për shpërdorim financiar të kontstatuar në hetimin e tyre, por edhe nga revizorët shtetërorë, megjithatë Prokuroria dy vite më pas këtë iniciativë e hodhën poshtë.

“Në vitin 2019-të ne hapëm lëndë dhe e dorëzuam iniciativë në Prokurorinë Publike, megjithatë pas disa kërkesave për informatë kthyese nga Prokuroria Publike Strugë ose s’më kujtohet nëse ka qenë edhe Prokuroria për Krim të Organizuar, madje në vitin 2021 morëm informatë kthyese se iniciativa jonë hidhet poshtë”, tha për Portalb.mk anëtarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga Korrupsioni, Katica Nikollovska.

Fotografi e marrë nga profili publik i Ali Ahmetit në FB / https://www.facebook.com/photo/?fbid=663356125158513&set=pcb.663357275158398
Kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko në hedhjen e gur-themelit të sallës sportive në f. Dollogozhdë. Fotografi e marrë nga profili publik i Ali Ahmetit në Facebook

Procedura për sjelljen e raportit përfundimtar të revizionit

Pas kryerjes së kontrollit, revizori i autorizuar shtetëror përgatit draft raportin e auditimit, i cili i dorëzohet përfaqësuesit ligjor të subjektit të revizionit dhe personit i cili ka qenë përgjegjës për subjektin e revizionit gjatë periudhës për të cilën është kryer revizioni.

Personat përgjegjës për subjektin e revizionit, në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të draft raportit, mund t’i paraqesin vërejtjet Entit Shtetëror për Revizion. Pas skadimit të afatit, revizori i autorizuar shtetëror përgatit raport përfundimtar të auditimit.

Raportet duhet të nënshkruhen nga së paku një revizor i autorizuar shtetëror dhe dy revizorë shtetërorë.

Revizori kryesor shtetëror është i obliguar që raportet t’ia dorëzojë përfaqësuesit ligjor të subjektit të revizionit, personit i cili ka qenë përgjegjës për subjektin e revizionit gjatë periudhës për të cilën është kryer revizioni dhe autoriteteve përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e funksionimit të subjektit ku është kryer auditimi.

Kryerevizori shtetëror raportet përfundimtare të revizionit dhe vërejtjet e parashtruara nga personat përgjegjës për subjektin e revizionit i publikon në ueb faqen e Entit Shtetëror për Revizion.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të kontrollit është i detyruar të njoftojë Entin Shtetëror të Auditimit dhe autoritetin përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin për masat e marra në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet në raportet e auditimit, brenda 90 ditëve nga marrja e raportit përfundimtar.

Enti shtetëror për revizion (EShR), foto nga faqja e Facebook-ut zyrtar
Enti shtetëror për revizion (EShR), foto nga faqja e Facebook-ut zyrtar

 

Si përgatiten raportet?

Enti Shtetëror i Revizionit përgatit Raport Vjetor për kontrollet e kryera dhe punën e Entit Shtetëror për Revizion. EShR raportin ia dërgon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shqyrtim më së voni deri më 30 qershor të vitit aktual për vitin paraprak.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrton raportin dhe në bazë të tij nxjerr konkluzione.

Raportet përfundimtare të revizionit i dërgohen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shqyrtim më së voni dhjetë ditë nga dita e nënshkrimit të tyre.

Enti shtetëror për revizion pas përfundimit të çdo viti fiskal dhe para miratimit të Llogarisë Vjetore të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë, përgatit raportin e auditimit për Buxhetin e Republikës së Maqedonisë dhe ia dorëzon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shqyrtim.

Bashkëpunimi

Nëse gjatë auditimit, auditori i autorizuar shtetëror vlerëson se subjekti i auditimit ka kryer kundërvajtje ose vepër penale, është i detyruar që menjëherë t’i njoftojë organet kompetente.

Subjektet që mbajnë regjistrat administrativë, regjistrat dhe bazat e të dhënave dhe bartësit e transaksioneve të pagesave janë të detyruar t’i dorëzojnë auditorit të autorizuar shtetëror të dhënat për subjektet që i nënshtrohen kontrollit shtetëror në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Auditimi Shtetëror bashkëpunon me organizatat ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit dhe me institucionet supreme të auditimit të vendeve të tjera në kryerjen e auditimit shtetëror.

Pra, sipas ligjit për revizion shtetëror, Enti Shtetëror për revizion, alarmon institucionet kompetente për të ndërmarrë masa mbi parregullësitë e konstatuara. Përkatësisht, Prokuroria, nëse ka indikacione apo elemente të kundërvajtjes apo veprave penale formon lëndë pas së cilës heton rastin. Mirëpo duket se Prokuroria është “shurdhe” rreth “piskamës” së korrupsionit dhe veprave penale që ndodhin në instituonet shtetërore.

Për pasivitetin e Prokurorisë, vitin e kaluar u ankua edhe Komisioni Antikorruspsion, i cili inicon lëndë që mund të kenë elemente të veprës penale, të cilat më pas kalojnë në Prokurorinë Publike, mirëpo kjo e fundit, nga 187 iniciativa të ngritura prej 20 vitesh para organeve më të larta përgjegjëse, vetëm tre kanë arritur në gjykatë, ndërsa për të tjerat lëndë, përgjigjja ka qenë se nuk kanë bazë dhe elemente të mjaftueshme të veprës penale.

Antikorrupsionit kërkoi që Prokurorisë ta njoftojë me rastet e iniciuara, duke dashur që në njëfarë mënyre ta obligojë Prokurorinë, pa ndikuar te ajo, që të veprojë në mënyrë më proaktive dhe objektive. 

Prokuroria Themelore Publike, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Prokuroria Themelore Publike, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të pyetur nga Portalb.mk atëkohë për këto vërejtje, Prokuroria tha se ata veprojnë në iniciativat e dorëzuara te ata dhe në disa raste janë bazë për formimin e lëndës, ndërsa në raste të tjera ato bashkohen dhe bëhen pjesë e provave në një rast të themeluar më parë në Prokurorinë Publike.

“Prokurorët publikë janë të obliguar që të shqyrtojnë tërësisht pretendimet në çdo parashtresë dhe të ofrojnë prova përkatëse për të vërtetuar gjendjen faktike dhe përgjegjësinë e mundshme penale. Meqenëse veprimet e ndërmarra në këtë procedurë para hetimore janë sekrete, Prokuroria Publike mund të ndajë informacione më të detajuara për zhvillimin e një rasti të caktuar me publikun dhe institucionet e tjera vetëm pasi pretendimet të jenë vërtetuar me provat përkatëse dhe të konfirmohet dyshimi i arsyeshëm për vepër të kryer penale”, thanë nga Prokuroria për Portalb.mk .

 

Përpjekje për pavarësimin e Entit?

Deklaratat publike nga përfaqësuesit institucionalë për nevojën e pavarësimit kushtetues të EShR-së janë pothuajse inekzistente. Nuk është përmendur asnjë iniciativë, që me ndryshimet kushtetuese, të garantohet edhe pavarësia e EShR-së. E fundit dhe e vetmja përpjekje deri tani ka qenë para nëntë vitesh, madje edhe ajo përpjekje dështoi për shkak të mungesës së shumicës për votim të ndryshimeve në Kushtetutë.

Kanë mbetur edhe pak për të parë nëse do të ketë shumicë të nevojshme për ndryshimet kushtetuese, si dhe nëse ka, a do të futet edhe pavarësia e EShR-së në të. Megjithëse shpresat janë të ulëta, përsëri nuk përjashtohen skenarë nga pushteti, ashtu siç ka ndodhur deri tani për çështje delikate, që të arrihet ndonjë marrëveshje midis partive edhe të bëhen këto ndryshime, megjithatë deri më sot nuk është thënë tekstualisht asnjë fjalë për pavarësinë kushtetuese të Entit.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, që në fillim të raporteve të progresit, i ka kërkuar Maqedonisë së Veriut që të pavarësojë me Kushtetutë Entin Shtetëror për Revizion, institucion i rëndësishëm i cili vlerëson nëse fondet publike shpenzohen në mënyrë të duhur. Megjithatë, autoritetet e vendit dhe mungesa e konsensusit politik, ka bërë që kjo çështje as të mos diskutohet fare. Shumica e partive politike thonë se do ta mbështesnin një iniciativë të tillë, por askush nuk e propozon.

Ndryshe, problemet në fushën e drejtësisë stagnojnë edhe rrugën eurointegruese e vendit, pasi reformat në këtë sektor janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit të vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.