Enti i revizionit: Llogaria e Komunës së Tetovës është e bllokuar në vazhdimësi, paguan me kompensime

Për shkak se komuna e Tetovës në vazhdimësi është e bllokuar me aktvendime përmbarimore gjyqësore për arkëtimin e detyrimeve të papaguara, një pjesë të shlyerjes së detyrimeve dhe kërkesave komuna e kryen me kompenzim, ndryshim të kreditorit apo debitorit – kalimi i kërkesës me marrëveshje (caktim) dhe me referim (asignim) si mënyra pagese për të njëjtat. Kështu thuhet në raportin e fundit të revizionit për komunën, të publikuar nga Enti Shtetëror i Revizionit, transemton Portalb.mk.

“Kjo mënyrë e mbledhjes/pagesës së të hyrave/shpenzimeve nuk është në përputhje me nenin 25 paragrafi 2 të Ligjit për transaksionet e pagesave, ku rregullohet që përdoruesit buxhetorë dhe përdoruesit individualë dhe subjektet tjera që kanë llogari transaksionesh në librin e thesarit nuk mund të kryejnë pagesat me kalkulim nëse kanë llogari të bllokuara”, thuhet në raport.

Me auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2021, auditorët kanë konstatuar se ka devijim ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara, ku të hyrat e planifikuara janë realizuar me përqindje prej 59.8 për qind dhe shpenzimet me 58 për qind.

“Planifikimi i buxhetit të komunës nuk bazohet në kushtet dhe mundësitë reale të komunës. Nuk është marrë vendim për shpalljen e jostabilitetit financiar të komunës, ndonëse komuna ka kohë që i plotëson kushtet për shpalljen e jostabilitetit financiar. Komuna nuk ka përditësuar vlerën e tregut të të gjitha pasurive të paluajtshme në territorin e komunës. Nuk ka pasur mbikëqyrje për mbledhjen e tarifës së qëndrimit të përkohshëm për vitin 2021 tek subjektet që ofrojnë këtë lloj shërbimi. Komuna e Tetovës nuk realizon të hyra në bazë të kompensimit për pastërtinë publike”, thuhet në dokument.

Raportet financiare janë në përgjegjësi të kryetares së Komunës Teuta Arifi (nga 11 prill 2013 deri më 3 nëntor 2021), si dhe Bilal Kasami, kryetar i komunës nga 4 nëntor 2021.

“Llogaria e Komunës së Tetovës është bllokuar në vazhdimësi që nga marsi i vitit 2014 me vendime përmbarimore gjyqësore për arkëtimin e obligimeve të vjetra të papaguara. Komuna në fund të vitit 2021 në evidencën kontabël ka evidentuar obligimet e papaguara për të cilat ka vendime gjyqësore të plotfuqishme në vlerë prej 278,678 mijë denarë. Nga nëntori i vitit të kaluar, llogaria e komunës është bllokuar për një borxh të përgjithshëm prej mbi 392 milionë denarë”, kanë përfunduar auditorët.

Në rekomandimet e lartpërmendura nga auditorët, thuhet se kryetari i komunës dhe administrata komunale duhet të heqin dorë nga mënyra e përcaktuar e kryerjes së transaksionit të pagesës dhe të sigurojnë pozitë të barabartë të kreditorëve.

“Kryetari i Komunës duhet të procedojë me formimin e një grupi pune që do të bëjë një analizë të detajuar të pagesave të bëra me kalkulim, lidhjen e tyre me kontratat dhe librat e biznesit (faturat) dhe regjistrimin e tyre në kontabilitet”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se revizorët shtetërorë konstatuan gjithashtu në raportin përfundimtar për auditimin e përputhshmërisë “Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në RMV 2021”, se gjatë Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, proces i cili është bërë në vitin 2021, janë lidhur kontrata për blerjen e laptopëve, pa kryer procedurën e duhur për prokurim publik. Është blerë një aplikacion softuerësh për vetëregjistrim pa kompensim dhe pa u përcaktuar nëse ishte sponsorizim apo donacion. Po ashtu, për fushatën për popullarizimin e regjistrimit janë shpenzuar 7,3 milionë denarë, që është më shumë se paratë e planifikuara për këtë qëllim në planin financiar për regjistrim në vlerë prej 2,2 milionë denarë, transmeton Portalb.mk.