Duhej të bëhej para 14 viteve, sot u promovua sistemi për incizimin e seancave gjyqësore në RMV
Në të gjitha gjykatat e vendit është instaluar sistemi për incizim audio dhe video të procedurave gjyqësore me qëllim të rritjes së transparencës dhe plotësimit të standardeve për gjykim të drejtë dhe korrekt, shkruan Alsat.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, këtë e quajti vetëm një kontribut simbolik në reformat gjyqësore, i cili është dashur të ndodh para 14 viteve, por gjykatat penale, civile dhe administrative nuk e kanë bërë pavarësisht obligimit ligjor.
“Ajo që më befasoi, patjetër të pranoj, thjeshtë mjaft pakëndshëm është se edhe pse ky obligim e konstatuar normativisiht dhe ligjërisht në vitin 2010, ja tërë 14 vjet më vonë presim që të zbatohet. Në fakt, incizimi tonik ka filluar me ndryshimet përkatëse të ligjeve procedurale në vitin 2010, janë ndryshuar Ligji për Procedurë Civile dhe Ligji për Procedurë Penale për tejkalimin e dobësive në procedurë. Të gjitha, në drejtim të cilësisë së udhëheqjes së procedurës gjyqësore”, tha Igor Filkov, ministër i Drejtësisë.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, i ftoi të gjithë qytetarët që të denoncojnë në Këshill, në rast se gjatë procedurave gjyqësore, ndonjë gjykatë nuk e përdor sistemin.
“Në periudhën e ardhshme patjetër dhe duhet tërësisht të jetë në funksion pasi qytetarët e meritojnë atë dhe askush nuk duhet dhe nuk guxon të lejojë që ta injorojë pajisjen e këtillë të instaluar”, u shpreh Vesna Dameva, kryetare i Këshillit Gjyqësor.
Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini tha se me këtë sistem do të rritet besimi i qytetarëve tek institucionet gjyqësore.
“Zbatimi i sistemit incizim audio dhe video të diskutimeve gjyqësore padyshim do të kontribuojë për rritjen e sigurisë juridike të qytetarëve. Paraqet hap serioz për rritjen e besimit në sistemin gjyqësor si dhe përforcimin e parimit të sundimit të ligjit”, theksoi Burim Sejdini, kryetar i Gjykatës Administrative.
Sistemi i cili shtetit i ka kushtuar 21 milionë denarë është financuar nga Këshilli Gjyqësor Buxhetor.
I njëjti, prej vitesh përdoret në shumë institucione gjyqësore, qeveritare dhe financiare, organizata të sigurisë publike, aeroporte, termocentrale e tjerë.