RMV, qytetarët selektojnë shishe dhe kanaçe që të fitojnë pikë për të bërë pazar në markete
Makineritë e reja vending për selektimin e kanaçeve dhe plastikës në marketet e Shkupit ngjallën një interesim të madh tek qytetarët e Shkupit dhe Tetovës për selektimin e mbeturinave. “Pakomak” ka vendosur 25 makineri të reja vending në marketet e Tineks dhe VERO në Shkup, si dhe 2 makineri në VERO në Tetovë. Parimi i njohur nga vendet e Evropës Perëndimore për selektimin e mbeturinave me fitimin e pikëve nëpër markete funksionon me sukses edhe në vendin tonë, ndërsa nga “Pakomak” informojnë se kohëve të fundit në muaj kanë nga 1.000 deri në 1.400 përdorues të rinj të këtyre makinerive, të cilët e kanë instaluar aplikacionin në telefonat celular të tyre dhe selektojnë kanaçe dhe shishe plastike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
“Deri në fund të këtij viti do të instalojmë edhe 30 makineri të tjera, në Shkup dhe me siguri edhe në Shtip dhe në Berovë. Shtipi dhe Berova u përzgjodhën sepse si komuna treguan nivel të lartë të vetëdijes dhe vendosën të marrin pjesë në stimulimin e qytetarëve për hedhjen e mbeturinave në këto makineri”, sqarojnë nga “Pakomak” për Meta.mk.
Ata thonë se këto komuna kanë vendosur që t’i stimulojnë qytetarët për të selektuar mbeturina, por për momentin por shqyrtohet mundësia që deri në fund të vitit të vendosin makineri të këtilla edhe në komunat e tjera në mbarë vendin.
Makineritë e vjetra vending të cilat i përdorte deri më tani “Pakomak” i përdorte nëpër markete për seliktimin e mbeturinave tashmë u janë dhuruar shkollave fillore në Shkup, ndërsa një nga ato planifikojnë ta dërgojnë në Berovë, me qëllim që t’i edukojnë të rinjtë në lidhje me rëndësinë e selektimit të mbeturinave.
“Gjatë një dite ne grumbullojmë mbi 30 thasë me mbeturina të ambalazhimit, që do të thotë se disa makineri i zbrazim edhe deri në 3 herë gjatë ditës”, sqarojnë nga “Pakomak” për interesin e madh për shfrytëzimin e makinerive të reja vending në Shkup dhe në Tetovë.
Meta.mk vizitoi një nga marketet në Shkup, me ç’rast e pamë vetë se qytetarët, si ata më në moshë ashtu edhe të rinjtë, me qese të mbushura me kanaçe dhe shishe plastike i përdorin këto makineri të reja vending. Duke qenë se ato janë të vendosura pikërisht pranë arkave, kjo mënyrë e funksionimit të këtij sistemi tërheq interesin edhe të pjesës tjetër të qytetarëve.
Si funksionon selektimi i mbeturinave në makineri?
Çdo qytetar i interesuar mund ta instalojë aplikacionin celular “Pakomak Ekomak”. Pas grumbullimit të një sasie të caktuar të shisheve të zbrazëta të plastikës nga 0,33 deri në 1,75 litra dhe kanaçe të pijeve, qytetari duhet t’i çojë mbeturinat e selektuara në një nga makineritë vending në markete. Pas leximit të barkodit nga aplikacioni i telefonit në makinerinë vending, mund të fillohet me selektimin e mbeturinave.
Për çdo kanaçe ose shishe plastike të selektuar, fitohet nga 1 pikë e gjelbër, e cila ka vlerë prej gjysmë denari. Të gjithë përdoruesit e aplikacionit kanë në dispozicion kuponë për blerje të produkteve në marketet VERO dhe Tineks në vlerë nga 10 deri në 300 denarë. Këto kupona mund të përdoren në arkë gjatë pagesës së produkteve të blera, kështu që llogaria fiskale do të zvogëlohet për shumën e vlerës së kuponit.
Nga “Pakomak” sqarojnë se që nga themelimi i tyre grumbullojnë mbeturinat e ambalazhimit në përputhje me detyrimet ligjore, dhe atë: letër, plastikë, metal, kanaçe, ambalazhe qelqi, kartona dhe dru. Mesazhi i tyre, sidomos për të rinjtë e vendit, është që zakonet dhe praktikat në lidhje me mbeturinat që ata i respektojnë kur shkojnë jashtë Maqedonisë në një vend evropian, t’i praktikojnë edhe kur kthehen në atdhe, për të qenë kështu një shembull për pjesën tjetër të qytetarëve.
Sipas të dhënave për vitin 2021 “Pakomak” ka ricikluar 24.008 ton mbeturina ambalazhimi, pra 55,3 përqind e sasive të licencuara, gjegjësisht të mbeturinave të raportuara që janë lëshuar në treg nga klientët e tyre.
Makineritë e reja vending të “Pakomak” janë vetëm një nga disa shembuj të suksesshëm që janë aplikuar në Maqedoni kohëve të fundit dhe të cilat kanë për qëllim rritjen e përqindjes së mbeturinave të selektuara në vend.
Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Komunës Qendër” nga nëntori i vitit 2020 ka prezantuar makineritë vending për selektimin e kanaçeve dhe shisheve të plastikës për qytetarët e Komunës Qendër, të cilët mund t’i selektojnë mbeturinat përmes kartelave të tyre Green Pay. Kartelë të tillë kanë mbi 3.500 banorë të Komunës Qendër të Shkupit, e që u mundëson qytetarëve të paguajnë për shërbimet e parkimit, të blejnë pako për orë për parkim për vizitorët e tyre ose t’i përdorin mjetet e grumbulluara në rrjetin e gjelbër të lokaleve ku mund të blejnë me zbritje.
Ndërmarrja sociale “REDI Reciklim” në fund të vitit 2021 filloi projektin e tyre për selektimin primar të mbeturinave nga pallatet e banimit në Shkup. Për thirrjen e parë u paraqitën rreth 200 objekte banimi nga Aerodromi, Karposhi dhe komunat tjera të Shkupit, ndërsa banorëve të përzgjedhur iu dorëzuan kosha për selektimin e plastikës dhe letrës, të cilët zbrazen rregullisht me triçikleta elektrike nga grumbulluesit e punësuar nga ndërmarrja sociale.
Edhe Konvikti Shtetëror i Studentëve “Shkupi” në muajin prill të vitit të kaluar filloi një projekt në konviktet e Shkupit, përmes të cilit studentët që riciklojnë plastikë dhe kanaçe përmes kartës së tyre studentore do të mund të marrin kompensim në llogarinë e studentit. Fondet e mbledhura përmes projektit “Studentët riciklojnë” studentët mund t’i përdorin për të blerë me zbritje në bufenë e studentëve.
Përqindja e mbeturinave të selektuara në Maqedoni është shumë e vogël
Pavarësisht interesimit gjithnjë e në rritje të qytetarëve për selektimin e mbeturinave dhe rritjes së numrit të projekteve inovative që mundësojnë një përqindje më të lartë të selektimit fillestar, të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se rreth 82.7 përqind e mbeturinave komunale të grumbulluara në Maqedoni në vitin 2021 kanë qenë mbeturina të përziera komunale që kanë përfunduar në deponitë e Maqedonisë. Përkundër kësaj, vetëm rreth 13 përqind e sasisë së përgjithshme të mbeturinave që janë grumbulluar në vitin 2021 janë futur në procesin e selektimit primar dhe sekondar të mbeturinave.
Nga “Pakomak” thonë se përqindja e mbeturinave të selektuara në Maqedoni do të rritet me zbatimin konsekuent të ligjeve për mbeturinat e ambalazhimit në tërë territorin e Maqedonisë.
“Edukimi i vazhdueshëm i qytetarëve, edukimi i komunave dhe ndërmarrjeve të tyre publike se një ditë kur deponitë rajonale të zbatohen si qendra grumbullimi të mbeturinave çdo depozitim i mbeturinave në ato deponi do të jetë shpenzim për komunën, gjegjësisht për banorët e saj”, thonë nga “Pakomak” për masat që duhen ndërmarrë për ta reduktuar sasinë e mbeturinave që përfundojnë në deponi.
Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, tashmë publikisht njoftoi se në përgatitje e sipër është një metodologji e re për qytetarët dhe kompanitë, me të cilën çmimi i shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në vend nuk do të tarifohet në bazë të sipërfaqes së vendbanimit, por në bazë të sasisë së mbeturinave të prodhuara nga ato. Në këtë mënyrë, në të ardhmen, qytetarët në Maqedoni do të motivohen që përmes faturave mujore për mbeturina të selektojnë më shumë mbeturina, të cilat do të zvogëlohen në raport të drejtë me rritjen e sasisë së mbeturinave të selektuara.