RMV, protestë para Ministrisë së Drejtësisë: Stop përmbaruesve, janë bllokuar 220 mijë llogari

Përmbaruesit nuk e respektojnë vjetërsimin e çështjeve dhe nuk respektojnë vendimet e gjykatës, reagojnë nga shoqatat Njeriu mbi përfitimin dhe Non pasaran. Këto shoqata, së bashku me KOSM-in dhe partinë rome PCER dje kanë organizuar një protestë para Ministrisë së Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

Pjesëmarrësit e protestës kërkuan nga ministri i Drejtësisë që të udhëzojë përmbaruesit të respektojnë ligjin. Kjo që po bëjnë tani duke mos iu bindur ligjit është krim, thotë Ana Gligorova nga Njeriu mbi përfitim.

“Stop përmbaruesve”, “Pse e miratuat ligjin, pse gënjeni popullin”, “Mos luani ping-pong me popullin”, “Nuk votojmë nëse ligji nuk zbatohet” ishin disa nga parullat e protestës për të respektuar dispozitat e Ligjit për marrëdhënie obligative.

Disa qytetarë i kanë dorëzuar ministrit të Drejtësisë Krenar Loga kërkesa me shkrim për zbatimin e ndryshimeve nga Ligji për Marrëdhëniet të obligacioneve që i referohen vjetërsimit të borxheve.

Përfaqësuesit e shoqatave pohojnë se përmbaruesit nuk i respektojnë ndryshimet në Ligjin për marrëdhëniet e obligacioneve që kanë të bëjnë me vjetërsimin e borxheve. Këto ndryshime u miratuan më shumë se shtatë muaj më parë.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë me ne, Avokati i Popullit ka qenë në anën tonë. Vetëm ju, pushteti ekzekutiv, nuk jeni në anën tonë”, tha Gligorova.

Kryetari i partisë PCER, Samka Ibraimovski, kërkoi nga ministri i Drejtësisë që ta përmbushë premtimin e tij për të vepruar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nenov Marjan nga No Pasaran tha se kërkohet vetëm procesimi i vjetërimit, zbatimi i ligjit.

Në protestë u tha se janë 220 mijë llogari të bllokuara nga përmbaruesit. Të paktën 440 mijë qytetarë janë prekur. Shumica prej tyre prej kohësh jetojnë pa energji elektrike.

“Ministria e Drejtësisë të na ndihmojë të kemi energji elektrike. Unë jetoj me qiri. Turp. Hajdutë, hajdutë”, tha një nga pjesëmarrësit e protestës.

Ndërkohë për protestën ka reaguar Ministria e Drejtësisë, e cila tha se nuk ka kompetencë ligjore për të dhënë interpretim autentik të normave juridike, që është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Ministria e Drejtësisë ju njofton se kompetencë ekskluzive për të vepruar në bazë të parashkrimit të lëndës te përmbaruesi, ka gjykata në procedurë  përkatëse. Instituti juridik – parashkrimi, afatet, mbarimi dhe mënyra e përcaktimit, janë të  rregulluara me dispozita të shumta të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve (neni 349-382) dhe i njëjti  nuk zbatohet automatikisht, por përcaktohet në procedurë gjyqësore me propozim të  debitorit. Përmbaruesi është i detyruar të veprojë sipas kërkesës së kreditorit dhe i njëjti nuk është i autorizuar të marrë asnjë vendim procedural lidhur me rrjedhën e përmbarimit, e që është kompetencë ekskluzive e gjykatës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kujtojmë se së fundmi, protestë në Shkup u mbajt me rastin e 8 Marsit. Protesta u zhvillua nën sloganin “Linja e kuqe”: Të drejtat e grave janë të panegociueshme!”.