MPJ u bën thirrje qytetarëve të RMV-së në Iran dhe Izrael të ndjekin portalet e emergjencës dhe të shmangin udhëtimet atje
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka dalë me apel për qytetarët që ndodhen në Iran dhe Izrael, si dhe ata që ndodhen në vend u bën thirrje që të shmangin udhëtimet në këto dy vende, transmeton Portalb.mk.
“Në lidhje me informacionin për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit të ndjekin portalet kombëtare të emergjencës dhe të veprojnë në mënyrë strikte në përputhje me udhëzimet e institucioneve kompetente. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë të përmbahen nga çdo udhëtim në vendet e këtij rajoni, derisa të përmirësohet situata e sigurisë”, thuhet në njoftim.
Sipas informacionit të marrë nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, hapësira ajrore mbi Izraelin dhe Iranin është aktualisht e mbyllur, si edhe aeroportet në Tel Aviv dhe Teheran, pa një njoftim specifik për rifillimin e trafikut të rregullt ajror.
MPB kujton qytetarët e RMV-së se në rast nevoje për ndihmë, mund të kontaktojnë kontaktet e mëposhtme:
- Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv
Tel: +972 54 500 8566 / +972 54 967 0546
Email: [email protected]
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme
Tel: +389 75 273 732 / +389 75 268 736
Email: [email protected]
“Ju informojmë se në kuadër të Ministrisë është krijuar një shtab krize, i cili monitoron vazhdimisht situatën dhe do ta informojë publikun për të gjitha lajmet në kohën e duhur”, thonë nga MPJ.
Mëngjesin e sotëm, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.
Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare Islamike – një degë shumë e fuqishme e forcave të armatosura iraniane – si dhe disa shkencëtarëve bërthamorë.