Kryeministri Xhaferi takoi presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin ndërkombëtar për gra, paqe dhe siguri në Prishtinë, Republika e Kosovës, realizoi një takime me presidentët e e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani, transmeton Portalb.mk.

Në takimin me Begajn u shpreh kënaqësi për dialogun e vazhdueshëm politik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve. Bashkëbiseduesit e theksuan përkushtimin e të dyja palëve për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Kryeministri Xhaferi dhe Presidenti Begaj, theksuan në takim se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si aleatë në NATO, janë të gatshme për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim të një kontributi më aktiv në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe të komunitetit euroatlantik.

Në takim u këmbyen opinione edhe për integrimet evropiane, si dhe për vazhdimin e proceseve reformuese në të dyja shtetet.

Ndërkohë, në takimin me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Xhaferi e falënderoi presidenten për mikpritjen e bërë dhe për ftesën për pjesëmarrje në konferencën e cila është në organizim të Presidentes kosovare.

Ndër tjerash, në takim u theksua zotimi i të dy vendeve për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe sfidat aktuale në planin rajonal dhe shumëpalësh, a në lidhje me situatën e sigurisë dhe progresin ekonomik të rajonit dhe më gjerë.

Talat Xhaferi dhe Vjosa Osmani. Foto: Qeveria e RMV-së
Talat Xhaferi dhe Vjosa Osmani. Foto: Qeveria e RMV-së

Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe mundësitë për avancimin e tyre, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Bashkëbiseduesit këmbyen opinione për integrimin e plotë të të gjitha vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo nënkupton siguri, stabilitet dhe progres të përgjithshëm për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim, Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se shteti ynë, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, është i gatshëm që njohuritë dhe përvojën e fituar t’i vë në dispozicion të Kosovës.

Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se Maqedonia e Veriut e përcjell situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe e mbështet dialogun, duke potencuar se nevojitet konstruktivitet nga të dyja palët dhe se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin obligimet e marra nga Brukseli dhe Ohri.

Kryeministri Xhaferi dhe Presidentja Osmani së bashku konstatuan se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë.