Demiri: Protestat e specializantëve privatë kanë prapavijë politike

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri mbështet kërkesat e specializantëve privatë për rritjen e kompensimit që marrin çdo muaj, si dhe për sigurimin shëndetësor, por gjithsesi kërkon durim derisa të kalojnë zgjedhjet dhe më pas zgjidhjen e problemeve, transmeton Portalb.mk.

Ai thotë se pas 8 majit do të ketë ribalancim në buxhet dhe se të ardhurat e tyre do të jenë të barabarta me të ardhurat e specializantëve të tjerë, të cilët janë të punësuar në institucionet publike shëndetësore dhe siç tha ai, kjo është korrekte, sipas mendimit të tij.

Sipas Demirit, prapa grevës së nisur sot nga specializantët privatë fshihet edhe prapavija politike.

“Sigurisht që kjo nuk gjenerohet nga një dëshirë e thjeshtë për të përmirësuar statusin e tyre social, por ka edhe një prapavijë politike. Sot në orën 14 kemi një takim dhe do t’ua them të gjitha këto pavarësisht presionit që mund të bëjnë ndaj publikut. Realiteti është ky. Pse nuk janë të kënaqur kur bëjmë një krahasim me vitin 2017 që është drastik. Pse po iniciohen kërkesat e tyre tani, kjo është shumë indikative”, tha Demiri në konferencën e sotme për media ku u njoftua se do të futen vaksinat nëntëvalente kundër HPV.

Mbi 400 specializantë privatë nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup janë në grevë të përgjithshme duke filluar nga sot për shkak të kërkesave të paplotësuara, të cilat ia kanë dërguar ministrit të Shëndetësisë Ilir Demiri më 27 mars. Hristina Ilioska-Çeslaroska tha se nga sot nuk do të paraqiten në punë, nuk do të jenë në detyrë dhe nuk do të punojnë në baza ambulatore derisa të marrin njoftim me shkrim se do t’u plotësohen kërkesat

Specializantët privatë janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë dhe të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në një institucion publik shëndetësor, si dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë.

“Pas protestës së 27 marsit kemi pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Demiri, i cili na ka premtuar se kërkesat tona do të paraqiten në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pas takimit me ministrin janë mbajtur dy mbledhje të Qeverisë, më 3 dhe 9 prill, në të cilat sipas informacioneve të disponueshme publikisht, kërkesat tona nuk janë diskutuar”, tha dr.Ilioska-Ceshlaroska, specialiste private e mjekësisë interne në viti i tretë.

Ajo shtoi se sot në mëngjes kanë marrë një telefonatë nga një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe se në orën 14 do të shkojnë pesë prej tyre në mbledhje në Qeveri, por nuk kanë informacion se kush do të marrë pjesë në mbledhje.

“Në takimin me ministrin e Shëndetësisë, na është premtuar se kërkesat tona do të paraqiten në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pas takimit me ministrin, më 3 dhe 9 prill janë mbajtur dy seanca të Qeverisë, në të cilat sipas informacioneve publike të Qeverisë, kërkesat tona nuk janë diskutuar në asnjërën prej tyre”, tha Ilioska-Çeshlaroska, duke shtuar se edhe ato si gra janë të diskriminuara dhe nuk mund të shkojnë me leje lehonie apo sëmundje për shkak të një fëmije, sepse më pas ndalohet specializimi dhe u anulohet pagesa mujore.

Sipas doktoreshës Tamara Pejoska, e cila është specializante në vitin e parë të kirurgjisë plastike, ata janë në gatishmëri 24 orë në ditë, marrin pjesë aktive në ambulancat dhe ndihmojnë në operacione, të cilat të gjitha shpërblehen me pagë të ulët dhe pa sigurim.

“Personalisht, në Klinikën Infektive më ka ndodhur që të paguaj infuzionin prej 1000 denarë. Apo nga këto 26.000 denarë të veçoj shtesë për sigurim shëndetësor. Statusi ynë në asnjë mënyrë nuk është zgjidhur, pavarësisht nga koha që na është dhënë dhe sa sakrifica kemi bërë, ne nuk i kemi kushtet e duhura”, tha Dr. Pejoska.

Në pyetjet e gazetarëve se si po organizohen klinikat pa to nga sot, dr.Ilioska-Çeslaroska tha se ato janë duke u riorganizuar dhe se po thirren në punë specializantë shtetërorë.

Kujtojmë se punëtorët shëndetësorë me 8 prill në organizatën e Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, të përkrahur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) protestuan për punësim jo selektiv, përshtatje të pagave sipas Ligjit për pagë minimale dhe rritje të koeficienteve si shtesa në paga.