RMV, aty ku ka më shumë nevojë ka mungesë të stafit dhe pajisjeve për përballje me ndryshimet klimatike

Përmbytje me dëme materiale dhe viktima për shkak të shirave të dendur, thatësira dhe valë të gjata të të nxehtit që i shkatërrojnë fushat e mbjella me kultura bujqësore dhe të korrat e bujqërve, zjarre nëpër pyje që shkatërrojnë hapësira të mëdha me drunj, shfaqje e sëmundjeve tropikale të harruara, sezone të dështuara turistike në qendrat e skijimit për shkak të mungesës së borës dhe temperatura të ulëta janë vetëm një pjesë e pasojave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike të cilat po i ndjen vendi ynë. Maqedonia i kaloi të gjitha këto sfida serioze në vitet e kaluara, por çështja e vërtetë është se sa të përgatitur janë autoritetet kompetente për tu përballur me fatkeqësi të tilla, shkruan Portalb.mk.

Dy vite më parë një bujë të madhe bëri informacioni i publikuar në Prizma.mk se në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) ka vetëm një të punësuar detyrë kryesore e punës të së cilit është përballja me ndryshimet klimatike. Në analizën për kapacitetet institucionale të administratës shtetërore nga viti 2020 thuhet se në dhjetëra institucione kyçe për çështjen e ndryshimeve klimatike punojnë mbi 170 persona, por për 40 prej tyre kjo është një detyrë paralele e punës, ndërsa për rreth 130 është një detyrim shtesë paralel me detyrat e tyre kryesore të punës që i kanë nga një fushë tjetër.

Nga këndvështrimi aktual, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk sqaruan se në ministrinë e tyre është bërë një riorganizim, në vitin 2022 është emëruar udhëheqës i departamentit të klimës, ndërkohë që në këtë departament ka dy të punësuar. Megjithatë shumë vende kanë përparuar shumë gjatë këtyre viteve të fundit, ndërsa shembulli më i afërt është Greqia fqinje. Pas zjarreve të tmerrshme që e kapluan në vitin 2021  fqinji jonë jugor vendosi të reformojë institucionet e atëhershme dhe të gjithë sistemin duke krijuar Ministrinë e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile dhe për ministër e emëroi Christos Stylianides.

Edhe Maqedonia e Veriut u kaplua nga zjarre të tmerrshme në vitin 2021, por nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut thonë se për momentin nuk planifikohet riorganizim i ministrisë së tyre sipas shembullit grek. Riorganizimi do duhet të bëhet pas zbatimit të projektit të përgjithshëm të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për reformë të administratës publike.

“Përballja me ndryshimet klimatike nuk është punë e një institucioni. Aktualisht, në këtë temë janë duke punuar QMK, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ministri të tjera të linjës me kompetencë për të punuar në sektorët vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike (bujqësia). Sektorët në MMJPH, të cilët punojnë në sferën e natyrës, diversitetit biologjik, ujit, planifikimit hapësinor, zbatojnë aktivitete për parandalimin, trajtimin dhe zvogëlimin e pasojave nga ndryshimet klimatike”, thanë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

Nga Qendra për ndryshime klimatike për Meta.mk sqarojnë se kushtet nuk kanë ndryshuar dukshëm. Në institucionet që janë palë e interesuar kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike, jo vetëm që nuk ka asnjë person të vetëm me kualifikime dhe përgjegjësi në lidhje me ndryshimet klimatike, por në këtë fushë jemi edhe shumë prapa në zbatimin e dokumenteve strategjike përkatëse dhe objektivave të përcaktuara.

“Si në shumë sfera të tjera, duhet të ndryshohet sistemi i meritave si gjatë punësimit ashtu edhe gjatë avancimit në kuadër të institucioneve kompetente. “Krijimi i një mjedisi në të cilin pothuajse çdokush mund të vendoset në çdo pozicion është katastrofik për institucionet dhe shtetin,” shpjegojnë nga Qendra për Ndryshimet Klimatike.

Nga atje shtojnë se në shumë vende ka ministri për energjetikë dhe për klimën me qëllim që të vihet në fokus një qasje e integruar për adresimin e çështjeve lidhur me ndryshimet klimatike. Megjithatë, krijimi i një ministrie të re apo institucioni tjetër në vetvete nuk e zgjidh problemin, por zgjidhja e problemit me kapacitetet e dobëta të institucioneve dhe përcaktimi i roleve dhe përgjegjësive specifike për secilin institucion për çështjet klimatike, si dhe ngritja e një koordinimi solid ndërsektorial.

Nga Qendra për Ndryshime Klimatike japin shembullin me komunat në Maqedoni. Rajonet që kanë ekspozimin më të madh ndaj ngjarjeve ekstreme, pra janë më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike, janë rajoni i Vardarit, ai Lindor dhe Verilindor. Pikërisht në këto rajone të vendit një numër i madh i komunave nuk kanë përgatitur plane për përballje me rreziqet nga fatkeqësitë natyrore, theksojnë nga Qendra për Ndryshime Klimatike.

Përndryshe, Qendra për Menaxhimin e Krizave udhëheq bazën e të dhënave të ngjarjeve ekstreme që nga themelimi i saj në vitin 2005, me ç’rast është konstatuar se mbi 80 përqind e ngjarjeve ekstreme të regjistruara janë zjarre në pyje apo zjarre në mjedise të hapura.

“Nevojitet një analizë e të gjitha këtyre të dhënave në bazën e të dhënave, e cila do të ketë si rezultat identifikimin e vendeve më kritike dhe periudhave më kritike të vitit. Në këtë drejtim, kapacitetet në fushat përkatëse duhet të forcohen përmes bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet lokale në ato zona. Komunat duhet të pajisen me burime teknike dhe njerëzore. Është e palejueshme në një komunë në të cilën kanë ndodhur një numër i konsiderueshëm zjarresh apo ngjarje të ngjashme ekstreme të mos ketë ekip për trajtimin e fatkeqësive të tilla dhe të mos ketë dokumente të duhura planifikuese për përballimin e rreziqeve”, theksojnë nga Qendra për Ndryshime Klimatike.

Nga shembulli pozitiv me Greqinë në vitin 2021 Christos Stylianides pati rolin kryesor në reformimin e ministrisë së atjeshme, në funksion të rritjes së gatishmërisë për t’u përballë me ndryshimet klimatike. Struktura e re e Ministrisë Greke të Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile u fokusua në marrëdhënien shkak pasojë mes krizës klimatike dhe rreziqeve natyrore, me një strategji të re të bazuar në tre shtylla: parandalimin, gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë.

Gjatë dy viteve të fundit, Greqia ka bërë remont të sistemit të deriatëhershëm për përgjigje ndaj rreziqeve natyrore, si dhe përmirësim të strukturave të mbrojtjes civile për t’u përballur me përkeqësimin e kushteve klimatike dhe heqjen e pengesave burokratike.

Disa ndërhyrje të bëra në Greqi tashmë janë treguar efikase në përballjen me rrezikun nga katastrofat, siç janë: krijimi i një bashkëpunimi të ngushtë të kësaj ministrie me Ministrinë e Mjedisit dhe Energjetikës, si dhe aksioni i koordinuar me shërbimin për pyjet dhe zjarrfikësit në lidhje me rrezikun nga zjarret në pyje. Në Greqi konkretisht u punua për krijimin e një infrastrukture të re në pyje, patrulla shtesë nëpër pyje, mbikëqyrje sistematike ajrore të terrenit dhe më e rëndësishmja, përforcimi i Qendrës Kombëtare të Koordinimit.

Meta.mk ka kohë që i përcjell pasojat negative të ndryshimeve klimatike në vend me një sërë artikujsh, duke filluar nga rritja e temperaturës mestare në ajër, valët e zgjatura të të nxehtit dhe çrregullimet tek reshjet mesatare, pasojat katastrofale nga shkatërrimi i fondit pyjor në pyjet e Maqedonisë, problemin me përqindjen e lartë të ujit të pafaturuar për pije, mungesa e reshjeve të borës në qendrat rekreative të skijimit dhe sezoni i dështuar dimëror vitin e kaluar  dhe problemet shëndetësore tek qytetarët që burojnë nga ngrohja globale.