RMV, në ditët e zgjedhjeve nuk lejohet të punohet, por as Inspektorat i Punës nuk mund të dënojë nëse punohet

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme vendosi që 24 prilli 2024 (e mërkurë) dhe 8 maji 2024 (e mërkurë) të jenë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të mbarëvajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, transmeton Portalb.mk.

“Vendimi i sotëm i qeverisë vlen për të gjithë qytetarët e territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, kumtoi dje Qeveria.

Në këto dy ditë, Inspektorati i Punës nuk mund të gjobisë apo mbyllë objektet. Këto dy ditë jopune nuk janë të përcaktuara me Ligjin për festat por me vendim të qeverisë, kështu që inspektorët nuk mund të veprojnë. Kjo do të thotë që firmat apo kompanitë private mund të punojnë nëse duan, nuk kanë nevojë të japin pagesa pushimi për punonjësit dhe nuk mund të marrin gjobë, por punonjësit nuk duhet të vijnë sepse janë të mbrojtur nga vendimi i qeverisë. 

Ky vendim është në kundërshtim me atë që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ia ka dorëzuar Qeverisë me propozim për miratim. Në vendimin e Ministrisë thuhet se “rekomandohet” që data 24 prill dhe 8 maj të jenë ditë jo pune. Megjithatë, në vendimin e qeverisë pjesa “e rekomanduar” është fshirë.

Një numër i madh i kompanive private sot janë të kapur në befasi nga vendimi i Qeverisë dhe nuk dinë nëse lejohen të punojnë, si të llogarisin mëditjen, ndaj i drejtohen vazhdimisht Inspektoratit të Punës dhe kërkojnë përgjigje. Mirëpo, megjithatë, me vendim të Qeverisë dhe inspektorëve të punës, ata nuk duhet të shkojnë në punë.

Drejtoresha e Inspeksionit të Punës, Vesna Tomoska, konfirmon se një numër i madh i kompanive po kërkojnë sqarim se a lejohet të punojnë apo jo. Ajo thotë se në ditët në vijim do të koordinohen me institucionet kompetente se si duhet të veprojnë inspektorët.

“Me vendim të Qeverisë 24 prilli dhe 8 maji janë ditë jo pune për të gjithë qytetarët dhe nuk duhet të punojnë. Ne si Inspektorat i Punës nuk mund të dënojmë sepse nuk po flasim për ditë jopune të përcaktuara me Ligjin për festat. Do të presim udhëzime nga Ministria kompetente e Punës dhe Politikës Sociale se si të veprohet”, thotë Tomoska.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 8 maj.