Serbia ka bllokuar qytetarët e Kosovës në kufi me Kroacinë dhe Hungarinë

Autoritetet serbe kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.

Ibrahim Aliu, pronar i kompanisë turistike Rinor Travel, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga mëngjesi një autobus i kompanisë së tij është ndaluar në territorin serb, pas kalimit të kufirit të Hungarisë. Autobusi po udhëtonte nga Zvicra për në Kosovë.

“Sipas shoferëve, me të cilët jam në kontakt, [autoritetet serbe] i kanë marrë dy udhëtarë dhe dokumentet e autobusit”, tha Aliu.

Ai tha se nuk kanë ndonjë informacion tjetër, vetëm se nga autoritetet serbe, i është thënë të presin.

“Është çudi, se ne kemi kaluar kontrollin, vetëm dokumentet e autobusit dhe dy udhëtarë i kanë ndalë, dhe aq”, tha Aliu, duke treguar se gjendja e udhëtarëve është e mirë, përveç lodhjes.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u kërkuan qytetarëve që të mos kalojnë përmes Serbisë “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

​Ndërkaq, MPJD-ja përmes një njoftimi të ndarë për media, tha se pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikën kufitare në Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, tha MPJD-ja.

Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.

Paraprakisht sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, përmes një postimi në Facebook, tha se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me “mbi 300 udhëtarë nga Kosova”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” ndalimin në territorin e Serbisë të shtetasve të Kosovës, të cilët, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha po ashtu se u është drejtuar shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania – institucioneve të Bashkimit Evropian dhe instancave të tjera ndërkombëtare për këtë çështje “dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë”.

“Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”, tha MPJD.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 prill paralajmëroi se çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë “do të arrestohet dhe ndiqet penalisht”.

Ai i bëri këto deklarata teksa foli për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit nga autoritetet në Kosovë.

“Tani të gjithë ju që shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që merrni pjesë në të në çfarëdo mënyre, përmes protestave, demonstrata, në çdo mënyrë – do të jeni përgjegjës për të, të gjithë shqiptarët e përfshirë në të ata që marrin pjesë do të jenë përgjegjës për këtë”, deklaroi Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, asaj të Jashtme dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me njoftimet e autoriteteve në Kosovë për ndalimin e shtetasve të saj në kufijtë e Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë.

Asnjë nga këto institucione nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it. Për këtë rast, po ashtu nuk ka reaguar asnjë zyrtarë serbë.

Ndryshe, më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.