“Magna Mechatronics” ndërton fabrikë në Shtip, do të punësohen 600 persona
Sot në Shtip u shënua fillimi i punimeve të ndërtimit të fabrikës së re, investimin e “Magna Mechatronics”, e cila prodhon sisteme të integruara të komponentëve mekanikë dhe elektronikë dhe është një nga grupet e kompanisë kanadeze “Magna International”. Të pranishëm ishin edhe kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski dhe drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski, transmeton Portalb.mk.
“Magna International” është nga kompanitë më të njohura në botë, e specializuar në projektimin, zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve, moduleve dhe komponentëve të automobilave që dërgohen për të gjithë prodhuesit kryesorë të makinave në botë. Bëhet fjalë për zgjerimin e fushës së punës së kompanisë me një projekt të ri investues, krahas fabrikës së kompanisë në ZZHTI Strugë”, informoi Qeveria.
Kovaçevski tha se ky është një sinjal i qartë se Maqedonia e Veriut ofron një mjedis biznesi të favorshëm dhe të parashikueshëm për kompanitë, për investime të reja.
“Zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial janë motori i ekonomisë sonë dhe kompani si “Magna Mekatroniks” janë kompani që rrisin jo vetëm numrin e vendeve të punës në vend, jo vetëm BPV-në, por edhe reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë”, tha Kovaçevski.
Ai përmendi investimet e fundit të rëndësishme, përfshirë ato të “Gerejshajmer” dhe “Jageo”, theksoi rezultatet e arritura në zonat zhvillimore teknologjiko-industriale..
Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski, theksoi me këtë investim sigurohet e drejta për jetë të denjë për të paktën 600 qytetarë nga ky rajon me paga 20% mbi mesataren shtetërore.
“Ky është shembull dhe model i vërtetë i bashkëpunimit të politikanëve dhe institucioneve përgjegjëse përmes të cilit tregojmë se mund të japim rezultate konkrete për qytetarët”, tha ai.