RMV, paratë nga qeset që blejmë në markete do të investohen në kontejnerë për seleksionimin e mbeturinave

Deri në fund të tetorit do të shpallet thirrja publike për blerjen e kontejnerëve dhe koshave për seleksionimin e mbeturinave (letër, karton, plastikë dhe metal) për të gjitha komunat e Maqedonisë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor aktualisht është duke përgatitur tenderin, përmes të cilit do të shpërndahen 30.018 kosha 120 litra dhe 3.017 kontejnerë prej 1.1 metër kub. Mjetet në vlerë prej 105 milionë denarë janë siguruar nga mjetet e grumbulluara nga shitja e qeseve prej 15 denarësh, me të cilat qytetarët blejnë nëpër marketet e vendit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Ndarja e numrit të kontejnerëve dhe koshave për komunë do të bëhet në bazë të numrit të banorëve në komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Ministria e Mjedisit.

Komunat më të vogla me deri në 5000 banorë do të marrin nga 75 kosha secila, ndërsa pushtetet më të mëdha vendore me mbi 40.000 banorë do të pajisen me 1.212 kosha dhe 59 kontejnerë. Komunat e mbetura shpërndahen sipas madhësisë së tyre, kështu që çdo pushtet lokal nga 5.001 deri në 15.000 banorë do të marrë 47 kosha dhe 19 kontejnerë, atyre me madhësi nga 15.001 deri në 23.000 banorë do t’u ndahen 240 kosha dhe 58 kontejnerë, përderisa komunat nga 23,001, deri në 40 mijë banorë do të marrin 570 kosha dhe 115 kontejnerë për seleksionimin e mbetjeve.

Ndryshe, përqindja e mbeturinave të selektuara në vend është minimale, si dhe i vogël është edhe numri i vetëqeverisjeve lokale që kanë interes për ndarjen e mbeturinave për përpunim të mëtutjeshëm. Pra, vitin e kaluar vetëm 18,3 për qind e totalit të mbeturinave komunale në Maqedoni kanë kaluar në proces seleksionimi. Përkundër kësaj, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se rreth 81.7 për qind e mbeturinave të përgjithshme që grumbullohen nga ndërmarrjet publike si mbeturina të përziera komunale, përfundojnë duke u hedhur në deponi.

Ministria shton se mjetet e mbetura prej 15 milionë denarë do të shpenzohen për konkurs publik për mbështetje të aktiviteteve që janë të përbashkëta për të gjitha ose më shumë rryma të mbeturinave, përkatësisht janë të destinuara për financimin dhe realizimin e një projekti nacional për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe subjekteve për trajtimin e flukseve të veçanta të mbetjeve.

Ministria sqaron se paratë e ndara nga qytetarët për blerjen e qeseve do të ndahen në të ardhmen edhe për pajisjen e komunave për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.

Përveç 15 denarëve që ndahen për një qese të blerë, shteti mbledh edhe kompensim nga prodhuesit që nxjerrin në treg mallrat që prodhojnë mbeturina ambalazhi, edhe atë nga 6000 denarë në vit. Prodhuesit e pajisjeve elektrike dhe elektronike dhe mbetjet e tyre paguajnë të njëjtën shumë, si dhe prodhuesit e baterive dhe akumulatorëve të mbetur paguajnë gjithashtu kompensim. Të gjitha mjetet janë paguar në një llogari të veçantë të hapur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje se sa mjete janë mbledhur nga shitja e qeseve gjatë vitit 2023, gjegjësisht sqarojnë se mjetet e grumbulluara me të cilat tani do të shpallet tenderi për blerjen e kontejnerëve dhe koshave për seleksionimin e mbeturinave janë për vitin e kaluar.

Ndryshe, rritja e çmimit të qeseve të biodegradueshme nëpër dyqane ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2021. Përveç mbledhjes së fondeve për riinvestim në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, qëllimi kryesor i ministrisë ishte të dekurajonte qytetarët nga përdorimi i plastikës. Në të njëjtën kohë, synimi i shtetit ishte zhdukja e përdorimit të mëparshëm të qeseve plastike, në kurriz të atyre të biodegradueshme që shpërbëhen shumë më shpejt në natyrë dhe nuk ndotin mjedisin.