RMV, nxënësit nga familje me të ardhura të ulëta gjysmë viti do të marrin nga 1.200 dhe 1.800 denarë në muaj

Mbi 120 mijë nxënës dhe studentë do të përfitojnë kompensim monetar mujor deri në fund të vitit aktual shkollor, gjegjësisht  vitit akademik, si mbështetje për ta dhe familjet e tyre, në kushtet e rritjes së shpenzimeve  të jetesës dhe efekteve të zgjatura të krizës energjetike, transmeton Portalb.mk.

Kjo është e paraparë  në paketën e re të nëntë radhazi të masave antikrizë të Qeverisë, që synojnë të rinjtë, kategoritë e ndieshme të qytetarëve dhe sektorin privat.

Rreth 105.000 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të cilët vijnë nga familje me të ardhura të ulëta mujore deri në 50.000 denarë do të marrin kompensim financiar në shumë prej 1.200 dhe 1.800 denarë çdo muaj për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ndërkaq, mbi 15 mijë studentë që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre, në 7 muajt e ardhshëm, derisa zgjat viti akademik, do të marrin vauçer transporti, përkatësisht kompensim në shumë prej 600 deri në 1200 denarë, varësisht nga shpenzimet e llogaritura të transportit.

Për mënyrën se si nxënësit dhe studentët do të mund të aplikojnë,për kriteret, kushtet dhe afatet e shfrytëzimit të këtyre masave, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojnë informacione  më të hollësishme  në ditët e ardhshme.

Paketa e nëntë me 26 masa të antikrizëspër mbështetjen e qytetarëve është në vlerë prej gjithsej 662 milionë euro dhe  e cila është prezantuar dje.

Me këtë pako do të përfitojnë edhe pensionistët me pension deri në 14.000 denarë, të cilët do të marrin tre mijë denarë në muaj. Ata me pension prej 14 deri në 16 mijë denarë do të marrin dy mijë denarë në muaj, ndërsa pensionistët me të ardhura nga 16.000 deri në 19.000 denarë në pesë muajt e ardhshëm do të kenë mbështetje prej 1.500 denarë. Për këtë mbështetje janë ndarë 35 milionë euro dhe janë të mbuluar mbi 187 mijë pensionistë.

Në pesë muajt e ardhshëm, përfituesit e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, prindërit e vetëm, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç do të marrin 1000 denarë në muaj. Kjo masë përfshin 16.741 qytetarë me një mbështetje totale buxhetore prej 2.7 milionë euro.