RMV, neglizhimi i ruajtjes së pyjeve po bën dëm të pariparueshëm

Pyjet janë seriozisht të kërcënuara dhe të shkatërruara në Maqedoninë e Veriut. Ato kërcënohen veçanërisht nga prerja ilegale dhe shitja e paligjshme, u vlerësua në debatin e “Lëvizjes evropiane” me titull “Mbrojtja e natyrës përmes menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve”. Më tej u vunë në dukje probleme si ruajtja e biodiversitetit pyjor, reduktimi i ndotjes, zhvillimi i qyteteve të gjelbra dhe zhvillimi i një ekonomie cirkulare për shfrytëzimin maksimal të burimeve. Është e nevojshme që të gjithë të kuptojnë se cilat janë përfitimet, por edhe cili është çmimi që duhet paguar. Veprimi është i nevojshëm tani, këtu dhe globalisht, dhe kjo neglizhencë po bën dëm të pariparueshëm, u nënvizua më tej në panel diskutim, transmeton Portalb.mk.

Hristina Oxhaklieska, zvendësministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoi se menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve lidhet me Marrëveshjen e gjelbër evropiane, e cila ka për qëllim mbrojtjen, ruajtjen dhe fuqizimin e kapitalit natyror të BE-së, por edhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sipas Oxhaklieskës, pyllëzimi i qëndrueshëm dhe restaurimi i pyjeve të degraduara do të rrisë thithjen e dioksidit të karbonit, duke përmirësuar rezistencën e pyjeve dhe duke promovuar bioekonominë cirkulare. “Resurset natyrore nuk janë të pashtershme, ndërsa natyra është e ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme nga aktivitetet njerëzore që duhet të rregullohen”, theksoi Oxhaklievska.

Abdulshyqyr Abedini, theksoi rëndësinë e ndërtimit të qasjes strategjike për mbrojtjen e pyjeve dhe pylltarisë së Maqedonisë. Duke ndjekur strategjitë e BE-së për pyjet, ai theksoi se në këtë dekadë mund të përballemi me rreziqe edhe më të mëdha, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike dhe shqetësimeve natyrore që do të pamundësojnë atë që pyjet kanë ofruar deri më tani – shërbimet e ekosistemit. Megjithatë, nga ana tjetër, mundësitë për pylltarinë dhe sektorin e pylltarisë mund të rriten, falë aplikimit të  zgjidhjeve të rinovueshme dhe të bazuara në bio për të dekarbonizuar ekonominë tonë.

Euro-ambasadori David Geer – Europe House Skopje

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, David Geer, theksoi se kjo temë është shumë e rëndësishme, si për BE-në ashtu edhe për Maqedoninë, sepse më shumë se 30% e territorit është e mbuluar me pyje. Duke bërë një paralele me territorin e BE-së, ku ka 43% pyje, ai theksoi se pyjet janë një sistem mbijetese që stabilizon klimën dhe temperaturën, duke pastruar ujin dhe ajrin. Përveç kësaj, ato mbrojnë fshatrat nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, sigurojnë dru për përpunim, por edhe rrisin turizmin. Të kesh pyje të shëndetshme dhe rezistente është e rëndësishme dhe prioritare për të gjithë, si për qytetarët dhe autoritetet, ashtu edhe për kompanitë.

Henrik Markus, ambasador i Sllovakisë në Maqedoni në fjalimin e tij u mbështet në përvojën e  tij personale të çiklizmit nëpër Maqedoni. Sipas tij, vendi është shumë i bukur, por duhet kushtuar shumë më tepër vëmendje prezantimit dhe shfrytëzimit më të madh të potencialit turistik. Sipas tij, problemi më i madh që duhet zgjidhur pa kushte është ndotja, veçanërisht plehrat e hedhura në mënyrë të parregullt në natyrë. Ky problem është veçanërisht në qytetet dhe fshatrat e vogla, sepse nuk ka menaxhim të mbetjeve, ku përveç aspektit financiar, një pjesë e madhe është edhe në mentalitetin e njerëzve.

U theksua edhe se Ndërmarrjet publike që menaxhojnë pyjet janë të vetëfinancuara. Vetëfinancimi është një problem i madh dhe do të jetë edhe më i madh në të ardhmen. Sipas hulumtimeve, zonat e mbrojtura të shpallura në sistemin paraprak funksionojnë më mirë se ato të rejat, të shpallura pas pavarësisë, dhe arsyeja është vetëfinancimi në kombinim me aspektet tjera politike – theksoi profesor Stojanovski.

Nikolço Velkovski theksoi se Republika e Maqedonisë ka një lokacion specifik që ka qenë shkaktar i përplasjeve të qytetërimeve, gjë që ka reflektuar në gjendjen e pyjeve, të cilat shpeshherë dhe tej mase janë shkatërruar. Koncepti i menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve bazohet në 6 kritere pan-evropiane, të cilat u miratuan në një konferencë ministrore të BE-së dhe që konsideron se duhet të praktikohen:

  • Kriteri i parë: Rritja e burimeve pyjore dhe kontributi i tyre në ciklin global të karbonit. Për të arritur këtë qëllim duhet të ketë ndryshime në drejtimet e planifikimit, të cilat përveç parametrave ekonomikë duhet të përfshijnë edhe parametra mjedisorë dhe socialë.
  • Kriteri i dytë: Ruajtja e shëndetit dhe vitalitetit të ekosistemeve pyjore. Në legjislacionin ligjor kemi disa norma të caktuara që mundëson monitorimin e shëndetit dhe vitalitetit të këtyre ekosistemeve, gjë që mundëson mirëmbajtjen e një niveli minimal. Megjithatë, një problem i madh është rritja e numrit të zjarreve, numri në rritje i insekteve të dëmshme që prishin shëndetin dhe vitalitetin e ekosistemeve. Kapacitetet janë shumë të ulëta për të bërë mbrojtje parandaluese ndaj problemeve të tilla dhe këtu duhet të punohet seriozisht.
  • Kriteri i tretë: Mirëmbajtja dhe përmirësimi i funksioneve prodhuese të pyjeve (drunore dhe jo drunore). Është përmirësuar sipërfaqja dhe masa drusore në pyll, por është ende ndër 5 më të ulëtat në Evropë (për metër kub për njësi sipërfaqe). Arsyeja është përqindja e madhe e pyjeve që janë të degraduara dhe nuk arrijnë dot produktivitet të lartë.
  • Kriteri i katërt: Ruajtja, mbrojtja dhe rritja e biodiversitetit të ekosistemeve pyjore. Maqedonia është zonë e vogël, por e mbushur me biodiversitet të pasur, diversitet të një numri të madh habitatesh të ndryshme, ku përplasen tokë të ndryshme, klima dhe lloje të tjera që bëjnë të mundur diversitetin.
  • Kriteri i pestë: Ruajtja e funksioneve socio-ekonomike të pyllit. Kjo do të thotë integrim i funksioneve sociale, ekonomike dhe ekologjike të pyjeve. Duhet të merren parasysh të drejtat e pronësisë dhe funksionet e tjera të ndryshme që kanë pyjet me vlerat e tyre.
  • Kriteri i gjashtë: i cili i referohet Mirëmbajtjes dhe përmirësimit të duhur të funksioneve mbrojtëse në menaxhimin e pyjeve (veçanërisht tokës dhe ujit), shpjegohet nga Ivan Blinkov.
Shpyllëzim, male, pyje
Foto, Meta.mk/Goshe Nikollov

Ivan Blinkov, nga Fakulteti i Shkencave pyjore, arkitekturës së peizazhit dhe eko-inxhinierisë “Hans Em” informoi më në detaje për kriterin e pestë. Sipas tij, 1/3 e Maqedonisë është e prekur nga procese të forta erozioni. Pothuajse 30% e territorit është nën kërcënimin e shkretëtirëzimit, gjë që është e panjohur për vendet e Evropës qendrore dhe veriore, por është karakteristikë e Evropës Jugore. Prandaj, duhet të ndërtohet një qasje e veçantë për parandalimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore për shkak të sasisë së kostove që janë shtatë herë më të mëdha nëse nuk parandalohen, përkatësisht një fatkeqësi natyrore do të bënte 7 herë më shumë dëm.

Në Maqedoni, pjesa më e madhe e pyllëzimeve në të kaluarën kishte karakter kryesisht ekologjik, në radhë të parë për mbrojtjen e ujit dhe tokës. Pyllëzimi komercial ishte i parëndësishëm.

Profesor Blinkov konstatoi se është më e lehtë gjenden financa për projekte, ndërsa momentalisht po punohet shumë në projekte të tilla, por është shumë më e vështirë të gjenden mundësi për realizim, gjë që tregon se donatorët duhet të tregojnë më shumë interesim për implementim.

Stefko Stefanovski nga Qendra për menaxhim me kriza (QMK), shpjegoi nevojat për mbrojtjen e pyjeve në kushtet e rrezikut të shtuar nga zjarret në pyje. Në segmentin e mbrojtjes së pyjeve ka kompetenca të përbashkëta, ndërsa me këtë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Ai u ndal në funksionin mbrojtës të pyjeve, pasi kjo ndihmon në uljen e rreziqeve të përmbytjeve të rrëmbyeshme dhe degradimit të tokës (erozioni dhe rrëshqitjet e dheut). Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve është një sfidë kombëtare dhe të gjitha institucionet që kanë kompetencë duhet të bëjnë punën e tyre. Gjithashtu, të shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një sistemi që ekziston në Evrope Payment for ecosystem services, me qëllim menaxhimin e duhur të pyjeve.

Nazif Seferi ekaboroi projektin për të mbështetur reformat në pylltari, të financuara nga BE me tre objektiva kryesore: përditësimin e strategjisë për zhvillim të qëndrueshëm, rishikimin e Ligjit për pyjet dhe krijimin e një draft-Programi të ri kombëtar të pyjeve. Ai tha se për këtë projekt është krijuar një grup punues me të gjitha palët relevante të interesit nga të gjitha ministritë dhe institucionet kompetente, si dhe përfaqësues nga BE-ja, të cilët ndajnë praktikat e mira. Gjithashtu, Ligji për pyjet në versionin e tij të punës është në fazën përfundimtare dhe planifikohet të dorëzohet në Qeveri këtë vjeshtë.

Foto: Facebook faqja e Brigadës së zjarrfikësve të Shkupit
Foto ilustrim

Daniela Kamçeva prezantoi gjendjen aktuale në aspektin e mbrojtjes së natyrës në Maqedoni, si dhe aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Mjedisit. Për momentin ka 82 zona të mbrojtura, shumica e të cilave i përkasin parqeve kombëtare (PK 13,92% e të gjithë territorit të shtetit). Një pjesë e madhe e pyjeve që ndodhen në zonat e mbrojtura duhet të menaxhohen nga menaxheri i zonës së mbrojtur. 

Anela Stavrevska Panajotova theksoi se qëllimi i Strategjisë së re të pyjeve është të konkretizojë vizionin për përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së pyjeve dhe të forcojë mbrojtjen, rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë e tyre. Megjithatë, këto tri fjalë kyçe ende nuk kanë vlerë reale në Maqedoni dhe janë totalisht të margjinalizuara. Për shembull, ndërtimi i rrugës Kërçovë-Ohër shkaktoi prerje të qarta të pyjeve. Gjendja e parqeve kombëtare është alarmante. Për shembull, PK Mavrovë financohet nga shfrytëzimi i burimeve pyjore. Ata nuk kanë asnjë burim tjetër alternativ financimi.

“Mungesën e financave e paguan natyra, ndërsa ne i ndjejmë pasojat”, theksoi Stavrevska-Panajotova.

Në raportin e fundit për dëmet e pyjeve nga zjarret të Entit Shtetërorpër Statistikë, i periudhës qershor – shtator 2021, thuhet Maqedonisë e Veriut u përfshi nga disa zjarre pyjore. Sipas këtyre të dhënave, në periudhën qershor – shtator 2021 janë shënuar 142 zjarre pyjore, nga të cilat janë prekur 11.420 ha sipërfaqe pyjore.

Nga dëmet totale nga zjarret, më së shumti janë prekur pyjet nga plantacionet e përziera, të cilat zënë 52,2%, pyjet nga speciet gjetherënëse me 30,2%, pyjet nga speciet halore me 10,1%, ndërsa bimësia tokësore me 7,4%.

Masa drurore e djegur në pyje ishte 482.106 m3, ndërsa dëmi material ishte 2.318.091.000 denarë.

Ndërkohë për sa i përket prerjeve të druve, të dhënat e fundit të EShS-së janë nga viti 2021 ku për periudhën janar-qershor të atij viti, në prerjet e regjistruara ilegale është konstatuar se masa drusore e prerë në mënyrë të paligjshme kap sasinë prej 9.279 metra kub, me ç’rast NP “Pyjet Kombëtare” kanë parashtruar 102 kallëzime kundërvajtëse dhe 17 kallëzime penale. Sipas kësaj, mund të konstatohet se në vitin 2022, në nivel të NP “Pyjet Kombëtare”,nuk ka rritje të prerjeve ilegale krahasuar me vitin e kaluar.