Këtë vit numri i zjarreve pyjore në Maqedoninë e Veriut është ulur dhe sipërfaqja e djegur është zvogëluar dhjetëra herë

Pas zjarreve pyjore katastrofike që e përfshinë vendin vitin e kaluar, këtë vit situata me parandalimin e zjarreve në pyje është përmirësuar në mënyrë drastike. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në vend janë regjistruar 69 zjarre pyjore, gjatë të cilave është djegur sipërfaqe prej 733.02 hektarësh, ndërsa masa e djegur drunore ka qenë 4.621 metër kub, përcjellë Meta.mk informacionin nga NP Pyjet Kombëtare, raporton Portalb.mk.

Në gjysmën e parë të këtij viti, dëmet e shkaktuara nga zjarret pyjore ishin 43.218.277 denarë, ndërsa për shuarjen e zjarreve 832.650 denarë. Ndërmarrja publike ende nuk i ka përmbledhë të dhënat për muajt korrik dhe gusht për dëmet e shkaktuara nga zjarret pyjore. Megjithatë, moti me shi dhe temperaturat më të ulëta të ajrit në gusht të këtij viti mundësuan që numri i zjarreve pyjore dhe sipërfaqja e zonave të shkatërruara të jetë shumë më e vogël në krahasim me gushtin e vitit 2021.

Përkujtojmë se vetëm gjatë katër muajve të vitit të kaluar në vend u regjistruan 142 zjarre pyjore, ndërsa në vitin 2021 u prekën hapësira pyjore me një sipërfaqe prej 11.420 hektarësh. Vetëm për katër muaj, zjarret pyjore shkaktuan dëme materiale që vlerësohen në mbi 37,6 milionë euro. Numri famëkeq i vitit të kaluar e përfshin sipërfaqen më të madhe pyjore të prekur nga zjarret në dekadën e fundit. Zjarre më të mëdha ka pasur vetëm në vitin 2012, kur zjarret pyjore dogjën 19.312 hektarë drunj të mbjellë dhe bimësi të tjera në vend.

Ndryshe, numri i zjarreve pyjore dhe sipërfaqet e vegjetacionit që digjen nga flakët ndikojnë drejtpërdrejt në emetimet e gazeve serrë që Maqedonia i prodhon në baza vjetore. Edhe të dhënat e fundit nga Ministria e Mjedisit Jetësor, thonë se megjithëse emetimet e gazeve serrë në sektorin e Pyjeve janë faktor i paparashikueshëm në terma afatgjatë, të dhënat e fundit për vitin 2019 tregojnë rritje drastike të emetimeve të dyoksidit të karbonit nga ky sektor. Ndryshe nga viti 2016, kur sektori i pylltarisë arriti të ulet në 1.320,6 gigagramë ekuivalentë të dyoksidit të karbonit, në vitin 2019, kryesisht për shkak të rritjes së numrit të zjarreve pyjore, emetimi i gazrave të dëmshëm në atmosferë e kishte vlerën e përllogaritur prej 1.634,4 Gg. CO2-eq.

Me bilancin negativ të sipërfaqeve me drunj të shkatërruara nga zjarret pyjore të vitit të kaluar, mbetet ende për t’u përllogaritur ndikimi që ato shkaktuan në ndryshimet klimatike, gjegjësisht sa emetim të gazrave serrë shkaktuan zjarret e pyjeve të vitit të kaluar. Në vitin 2000, kur zjarret përfshinë sipërfaqe të mëdha të pyllëzuara, emetimet e gazrave serrë u rritën në një rekord prej 10.441,1 gigagramë ekuivalent të dyoksidit të karbonit.

Përkundër kësaj, mbrojtja e drejtpërdrejtë e pyjeve dhe parandalimi i zjarreve pyjore, së bashku me pyllëzimin, nënkupton një numër më të madh të drunjve të shëndoshë që e thithin gazrat serrë në atmosferë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e efekteve të ndryshimeve klimatike tek ne, por edhe në botë.

Nga NP Pyjet Kombëtaret, për Meta.mk, thanë se nuk kanë njohuri për zjarrvënie të organizuar në pyje, por shtuan se në vend ka institucione përkatëse që duhet ta hetojnë dhe ta vërtetojnë.

Sivjet nuk ka rritje të prerjeve ilegale të drunjve

Sipas të dhënave të përpunuara që Departamenti për Mbrojtje të Pyjeve, Mbikëqyrje dhe Kontroll të Brendshëm i NP “Pyjet Kombëtare” i ka në dispozicion,  thonë se prerja ilegale e regjistruar e drurëve këtë vit është identike me atë vitin e kaluar.

“Për periudhën janar-qershor 2022, sipas të dhënave të përpunuara që Departamenti i Mbrojtjes së Pyjeve, Mbikëqyrjes dhe Kontrollit të Brendshëm i ka në dispozicion, sasia e drurëve të prerë në mënyrë të paligjshme është 9.382 m3 dru, ndërsa për veprën – prerje e paligjshme, shërbimi i mbrojtjes pranë NP “Pyjet Kombëtare” njofton se ka ngritur 98 kallëzime kundërvajtëse dhe 19 kallëzime penale.

Ndryshe nga kjo, për periudhën janar-qershor 2021, në prerjet e regjistruara ilegale është konstatuar se masa drusore e prerë në mënyrë të paligjshme kap sasinë prej 9.279 metra kub, me ç’rast NP “Pyjet Kombëtare” kanë parashtruar 102 kallëzime kundërvajtëse dhe 17 kallëzime penale. Sipas kësaj, mund të konstatohet se në vitin 2022, në nivel të NP “Pyjet Kombëtare”,nuk ka rritje të prerjeve ilegale krahasuar me vitin e kaluar.

Ndryshe, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) për vitin e kaluar tregojnë se prerja ilegale e drurëve është rritur në krahasim me vitin 2020. Vitin e kaluar, hajdutët ia kanë dalë të presin në mënyrë të paligjshme 29.800 metra kub dru, që është mbi 10.000 metra kub më shumë se në vitin 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button