RMV, më 28 shkurt pritet të votohet anëtari i shtatë i KSHZ-së

Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa dhe pjesë e koalicionit opozitar shqiptar Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) deklaroi se në koordinimin e sotëm të rregullt të kryetarit të Kuvendit Jovan Mitreski me koordinatorët e grupeve parlamentare është dakorduar që datë më konkrete për votim të anëtarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të jetë 28 shkurti, raporton MIA.

“Për arsyen e thjeshtë se gjatë kësaj jave shumë deputetë janë në udhëtim pune jashtë vendit dhe do të jetë problematike të kemi një numër adekuat që duhet për të votuar për anëtarin e KSHZ-së. Por, megjithatë mbetet e hapur mundësia, nëse ka numër të mjaftueshëm të deputetëve dhe gjatë kësaj jave të bëhet. Do të bëhen konsultime edhe për këtë çështje. Por, nëse nuk kemi sukses që gjatë kësaj jave, data e sigurt mbetet 28 shkurti. Hapi pozitiv ishte që anëtari ynë në KSHZ ka shkuar në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime. Ky është akt pozitiv”, tha Zendeli.

Ai tha se për votimin e kandidatit të tyre Abdush Demiri për anëtar të ri të KSHZ-së nuk priten vështirësi apo probleme.

“Tani presim që të mos ketë probleme. Edhe nga ajo çfarë është rënë dakord në koordinimin e sotëm te kryetari, nuk presim të kemi probleme ose vështirësi gjatë votimit të anëtarit tonë të KSHZ-së”, tha ai.

Zendeli njoftoi se ka mbaruar bojkoti i tyre i punimeve të Kuvendit të cilën e nisën sepse kërkuan që kandidati i tyre të vihej në rendin e ditës së seancës.

Abdush Demiri është propozuar nga partitë e Bllokut evropian për ndryshime për anëtar të KSHZ-së. Demiri javën e kaluar në seancën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime është mbështetur për anëtar të Komisionit me 10 vota “për”, një e “përmbajtur” dhe një “kundër”. Kandidati i dytë i cili është tërhequr ishte Zulfi Adili pasi Qeveria me propozimin e Ziadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët e emëroi drejtor të Agjencisë për Investime të Huaja. Për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së kërkohet shumicë prej dy të tretave. KSHZ-ja është pa një anëtar më shumë se një muaj pasi Krenar Lloga u bë ministër i Drejtësisë.

Pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 14 shkurt, KSHZ-ja filloi aktivitetet zgjedhore duke miratuar afatet. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahet më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Nga 14 shkurti filloi të skadojë afati për regjistrimin e qytetarëve tanë për të votuar përmes aplikacionit https://dijaspora.sec.mk/, si dhe në përfaqësitë dhe konsullatat tona diplomatiko-konsullore jashtë vendit. Regjistrimi bëhet me plotësimin e dy kërkesave si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare. Për të votuar në diasporë duhet të mblidhen gjithsej 5.300 kërkesa.

Më 23 shkurt fillon mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për parashtruesit e listave zgjedhore dhe më 28 shkurt fillon inspektimi i Listës zgjedhore.

Më 18 dhjetor, Lidhja Evropiane për Ndryshim propozoi Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së.  Ata prej kohësh kërkonin që Kuvendi të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Më 15 shkurt, Komisioni parlamentar e votoi propozimin me 10 vota “për” dhe 1 abstenim.

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita.

Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski zyrtarisht ka shpallur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.  Zgjedhjet e shtata presidenciale, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.