RMV, mbështetje financiare deri 5 mijë euro përmes projektit “Ndërtimi i urave të reja”

Në muajin prill do të mund të aplikojnë shkollat e Maqedonisë së Veriut për të fituar mbështetje financiare deri 5 mijë euro për realizimin e projekteve në kuadër të misionit “Ndërtimi i Urave të Reja”, transmeton Portalb.mk.

“Thirrja është për Fondin e Arsimit të Integruar, i cili do të ofrojë mbështetje për Shkolla publike, fakultete për trajnim për mësimdhënës/fakultete pedagogjike dhe komuna për të promovuar aktivitete të përbashkëta shkollore  ndërmjet fëmijëve që mësojnë në gjuhë të ndryshme”, njoftoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

“Ndërtimi i Urave të Reja” është mision i realizuar ndërmjet Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Ministrisë për Arsim dhe Shkencë. Përmes projekteve të tilla planifikohet integrimi ndëretnik i nxënësve që mësojnë në gjuhë të ndryshme.

Mbështetës të këtyre projekteve janë Mbretëria e Norvegjisë, Republika e Polonisë, Dukata e Madhe e Luksemburgut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afati për aplikim është deri më 30 prill, ndërsa periudha për zbatimin e projekteve është prej qershorit të këtij viti deri në qershor të vitit të ardhshëm. Aplikimi kryhet përmes adresës [email protected].