Bekim Qoku publikoi tre emrat që do të garojnë si Vetëvendosje në koalicionin VLEN

Një nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN, Bekim Qoku, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka shpalosur tre emrat që do të jenë në listën e kandidatëve për deputet brenda koalicionit VLEN, transmeton Portalb.mk.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë tre kandidatë për deputetë, me koalicionin VLEN. Në Njësinë Zgjedhore 1, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Nafie Selmani. Në Njësinë Zgjedhore 2, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Medine Ukshini. Ndërsa në Njësinë Zgjedhore 6, kandidat me numrin 2 në listë do të jem unë, Bekim Qoku”, njoftoi Qoku.

Ai ka vlerësuar që Lëvizja Vetëvendosje! që udhëhiqet nga kryeministri Kurti ka shumë aktivistë dhe simpatizantë në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari dje ka shpalosur pozicionet dhe disa emra të Aleancës për Shqiptarët që do të jenë kandidat për deputet të kësaj partie brenda koalicionit VLEN. Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI, ka bërë publik emrat e bartësve të listave. Partitë maqedonase, LSDM-ja dhe VRMO-DPMNE-ja tani më kanë publikuar edhe listat e kandidatëve për deputetë.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.