RMV, janë sekuestruar 4 ton pilula “Viagra” që nuk ishin të regjistruara në MALMED

Drejtoria doganore ka konfiskuar katër tonë pilula dhe xhel për potencë në vlerë prej 41,7 milionë denarë (rreth 680.000 euro), njofton Drejtoria doganore, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për barnat dhe xhel të cilët, siç thonë nga atje, janë të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve. Bëhet fjalë për parandalimin e tregtisë së paligjshme sepse barnat nuk janë në Regjistrin e Barnave.

“Inspektorët e Departamentit të Kontrollit dhe Hetimeve gjatë ekzaminimit të detajuar të mallit kanë konstatuar se kompania që ka sjellë mallin në vend nuk ka vendim të vlefshëm për të kryer tregti me shumicë të barnave dhe pajisjeve mjekësore. Në të njëjtën kohë, produkti është ilaç i cili nuk është i regjistruar në Regjistrin e barnave të cilin e mban Agjencia për barna dhe pajisje mjekësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është deklaruar ndryshe”, thonë nga Dogana.

Barnat e sekuestruara janë: 48.000 kuti “xhela oral” ose xhel 100 ml për përdorim oral “kamagra”, 10.530 shirita me tableta “kamagra” 100 mg dhe 7.000 kuti me tableta “cenforce” 100 mg dhe 150 mg.