RMV-ja shpalli non-grata tre diplomatë rusë

Maqedonia e Veriut ka shpallur persona të padëshirueshëm (non grata) tre diplomatë nga Ambasada Ruse në vend, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) njoftoi se më 12 shtator në MPJ është thirrur ambasadori i Federatës Ruse, të cilit i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën tre diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup janë shpallur të padëshirueshëm në vend (persona non grata).

Ministria theksoi se vendimi këtillë është marrë pas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente për aktivitete të ndërmarra e që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Për këtë, dje reagoi Ambasada e Federatës Ruse në vend përmes një postimi në rrjetin social “X” (Twitter), në të cilin transmetoi një koment të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova.

Rusia e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe akt armiqësor shpalljen e tre diplomatëve për persona të padëshiruar dhe paralajmëroi se nuk do të mbetet pa përgjigje.

Ndërkaq, komenti i Zaharovës është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të MPJ-së ruse.

Përkrah informatave për shpalljen e tre diplomatëve ruse për “persona non grata”, në koment theksohet se, autoritetet e RMV-së “vazhdojnë të ecin në rrugën e përkeqësimit të konfrontimit dhe t’i zhvillojnë raportet bilaterale, të cilat edhe ashtu janë në krizë të thellë, në qorr sokak.