Shpërthim në një fabrikë të industrisë së mbrojtjes në Serbi

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se mëngjesin e 16 shtatorit ka ndodhur një shpërthim në një fabrikë që merret me prodhimin e karburanteve për raketa, njofton Radio Evropa e Lirë.

Në kompaninë EDePro në Leshtani, në periferi të Beogradit, shpërthimi ndodhi në një makineri që po prodhonte karburantet.

“Sipas informacioneve paraprake nuk ka të lënduar apo viktima nga shpërthimi”, u tha në njoftim.

Ekipet e emergjencave kanë ndalë në vendin e ngjarjes, ndërkaq si masë mbrojtëse, autoritetet kanë mbyllur një dalje në një autostradë që gjendet afër fabrikës ku ndodhi shpërthimi.

Sipas ueb-faqes së EdePro, kjo kompani ofron zgjidhje për pajisje të ndryshme të industrisë së mbrojtjes, sikurse raketat, motorët raketorët dhe dronët.

Leshtani, ku gjendet edhe fabrika e industrisë së mbrojtjes, ndodhet 15 kilometra në lindje të Beogradit.