Kryeministri Mickoski foli rreth mundësisë për ndryshimin e çmimit të rrymës elektrike
Qeveria po përgatit një metodologji për të ruajtur të njëjtin çmim të energjisë elektrike, por po përpiqet që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të kenë edhe energji elektrike më të lirë, njoftoi sot gjatë vizitës në Shtip kryeministri Hristijan Mickoski, i cili u përgjigj në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë rritje të çmimit dhe cila është pasqyra energjetike në vend, raporton MIA.
“Sa i përket energjisë elektrike, po përgatisim një metodologji që të përpiqemi, nëse asgjë tjetër, të paktën ta mbajmë të njëjtin çmim, ndërsa pse të mos përpiqemi edhe ta ulim çmimin”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se, që nga ardhja e kësaj Qeverie, qytetarët, amvisëritë, nuk kanë pasur rritje reale të çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht të gjitha sfidave dhe, siç tha ai, “pavarësisht se jemi në kulmin e krizës më të madhe energjetike që njerëzimi mban mend, e cila është lufta në Gjirin Arabik”. Kryeministri theksoi se, pavarësisht të gjitha sfidave, gjendja me energjinë elektrike është stabile.
“Pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, sot, kur më pyesni, mund të them se gjendja është stabile, do të kemi dimër stabil dhe do të kemi furnizim me energji elektrike në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe bizneseve. Ne si Qeveri jemi të fokusuar në këtë, po i përgatisim kapacitetet tona prodhuese. Sezoni i ngrohjes do të fillojë pas një muaj e gjysmë, maksimumi, në varësi të kushteve të motit, diku në fillim të nëntorit, por ne po i përgatisim kapacitetet energjetike, po përgatitemi për dimrin dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë të jemi të fokusuar edhe më tej”, tha Mickoski.